Shkëlqim Muça, si gjithmonë në këtë sezon të “Rubrika Sportive” në RTSH ka analizuar javën e 32-të të “Abissnet Superiore”, gjithçka që kanë prodhuar skuadrat në fushën e lojës.
Fitorja në derbi – “E kemi pritur një fitore të Partizanit, për vetë situatën që po kalon Dinamo. Gjithsesi, po ta shikosh nuk kishte ndonjë diferencë të madhe deri në momentin e shënimit të golit. Më pas Partizani mund të shënonte edhe më shumë. Mund të them se trajneri i të kuqve bëri zgjedhje shumë të drejta, të gjitha zëvendësimet më pëlqyen. Trajneri i Dinamos më habiti që mbajti 90 minuta në fushë Rexhinaldon, i cili nuk bëri asgjë në fushë”.
Fitorja e Laçit dhe gjendja e Tiranës – “Këtë gjendje të Tiranës e kam thënë që do e shikojmë këto javët e fundit. Atë motivimin 100% nuk do e shikojmë. Por është diçka e shëmtuar kur e shikon duke humbur gjithmonë, duhet të ndryshojë, duhet të ndryshojë qasjen ndaj kundërshtarit. Laçi është në një gjendje shumë të mirë, me këtë fitore e konsolidoi vendin e dytë, është brenda të gjitha objektivave. Fitorja e Kupës do të ishte qershia mbi tortë për këtë skuadër”.
Kastrioti e Egnatia, surprizuese – “Ishte një ndeshje që i kishte të gjitha, e bukur për tu parë. Kastrioti vazhdon me atë besimin deri në fund, ndërsa Egnatia është një skuadër e qetë, e mer me shumë qetësi, ka cilësi në sulm. Ishin dy skuadra që na kanë surprizuar në këtë fund kampionati me ndryshimin në cilësi, është për tu lavdëruar. Po bëjnë shumë mirë, Kastrioti akoma më mirë, nuk është i rrezikuar, tani po ëndërron për më lartë”.
Fitorja e durrsakëve – “Teuta i ka bazat për vitin tjetër për të pretenduar për më shumë. Ishte një ndeshje e barabartë në pjesën e parë. Pjesa e dytë ishte me shumë gabime nga Kukësi, sidomos në mbrojtje, e vendosur gabim. Teuta e shfrytëzoi kundërsulmin. Verilindorët kanë një gjendje jo të mirë, mund të humbasin dhe objektivin, që është Europa”.
Fitorja e Vllaznisë – “Vllaznia kishte një periudhë shumë të vështirë, kishte oshilacione që kur u largua Brdaric. Edhe në këtë ndeshje kishte problem, mund të rrezikonte shumë nëse Skënderbeu do kishte shënuar në ato raste që kishte. Në pjesën e dytë kishte një marsh më shumë dhe arriti të marrë fitoren. Mendoj se fokus kryesorë duhet të ketë Kupën, me një ndeshje arrin objektivin”.