Ekipi i Vllaznisë në mundjen e lirë, vazhdon të ketë përfaqësime dinjitoze në aktivitetet kombëtare. Pas titullit kampion me kategorinë e moshës U9-të, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Altin Anza, bënë të njëjtën gjë edhe në aktivitetin e radhës, Kupën e Shqipërisë, ndeshjet e së cilës u zhvilluan në qytetin e Beratit, këtë radhë për kategorinë e moshës U15 dhe U17.
Figurën më të mirë sportive nga Vllaznia e bënë mundësit e kategorisë U15, ku mes tyre dolën edhe dy kampionë kombëtarë. Ato janë Amer Faslija pesha 62 kg dhe Muhamed Tula pesha 75 kg, të cilët duke i fituar të gjitha duelet e tyre u shpallën kampion si individë.
Një figurë shumë të mirë sportive bënë edhe Unejs Hafizi pesha 57 kg, Enes Anza pesha 68 kg, dhe Amar Brahimi pesha 85 kg, të cilët u renditën në vendin e dytë.
Ndonëse nuk arritën të futen në treshen vendeve të nderit, figurë të mirë sportive bënë edhe mundësit Hadis Bashi- pesha 41 kg, Ergi Muçobega- pesha 52 kg, Bekim Ramekaj -pesha 57 kg, Halid Ulqinaku – pesha 62 kg, cilët kontribuan në klasifikimin ekipor, ku Vllaznia për U15 u rendit e treta.
Sa i përket konkurimit në kategorinë U17, Vllaznia u përfaqësua me vetëm një sportist, Amer Ulqinaku, i cili duke konkuruar në peshen deri 80 kg, u rendit në vendin e tretë si individë.