Tuesday, November 26, 2024

Mundje -Turneun “Muhamet Malo” e fiton Shqipëria. Kevin Kupi, sportisti më i mirë i aktivitetit

Lexo

Shqipëria si ekip me 124 pikë dhe Kevin Kupi si sportisti më i mirë i turneut ndërkombëtar “Muhamet Malo” janë gjërat më të bukura të ditës së parë të aktivitetit në stilin greko-romak. Një turne, që është duke u zhvilluar në sallën sportive “Farie Hoti” e që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Kevin Kupi ishte medalist i artë në peshën 77 kilogram, ndërsa për Shqipërinë kanë ardhur dhe dy medalje të argjendta me Jurgen Ukun në peshën 63 kilogram dhe Ardit Ndojin në peshën 77 kilogram. Jo vetëm kaq, por dhe katër medalje të bronzta përkatësisht nga Andi Dyshniku në peshën 63 kilogram, Ardit Zeneli në peshën 67 kilogram, Juljan Shehu në peshën 97 kilogram dhe Eduard Pica në peshën 130 kilogram. Ja dhe emocionet e Kevin Kupit për arritjet e tij në turneun “Muhamet Malo”

“Më pëlqen shumë që ky kampionat ka marrë përmasa ndërkombëtare dhe shpresoj që ta kem këmbën e mbarë dhe vitin tjetër të dalin më shumë kampionë nga Shqipëria”, thotë Kevin Kupi.

Por një turne i tillë është marrë seriozisht jo vetëm nga Federata Shqiptare e Mundjes, por dhe nga trajnerët e kombëtares, të cilët nuk kanë munguar në mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar

“Krahasuar me dy vitet e parë këtë herë janë më shumë shtete pjesëmarrëse. Janë 12 shtetet, të cilat kanë sjellë mbi 170 sportistë dhe ne duam që ta rrisim si aktivitet. Për mua si viti i parë si sekretar i përgjithshëm është një arritje e madhe për këtë eveniment dhe shpresoj që së bashku me stafin të arrijmë sa më lart në këtë edicion”, shpjegon sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Isa Merkja.

“Fatmirësisht sot Tirana dhe Shqipëria është kryeqyteti i sportit në Europë dhe mendoj se ky aktivitet nuk është thjeshtë vetëm sportiv, por një mundësi për djemtë tanë, një mundësi për Tiranën dhe një mundësi për të gjithë ne për të promovuar vlerat e sportit dhe të traditave që ne kemi”, shpjegon Sahit Prizreni.

“Nga viti në vit cilësia dhe kërkesa për të qenë prezent rritet nga shumë shtete të ndryshme. Duhet patur parasysh se tani kanë nisur dhe vendet e Afrikës dhe ato të Arabisë për të marrë pjesë në këtë turne. Kjo është mundësi që vjen tek ne duke qenë se niveli jonë dhe i mundjes sa vjen dhe rritet”, bën të ditur trajneri Altin Shtjefni.

Jo vetëm medalje, por dhe premio për fituesit, apo dhe Mirënjohje për drejtuesit e Federatës Shqiptare të Mundjes. Ky është Enklajd Malo që vijon të mbështesë mundjen për hir të të atit.

“Na bën shumë krenar sepse gjithmonë na kujton babanë tonë dhe sa i dhënë ishte për sportin, veçanërisht për mundjen. Që në fillimet e veta kur ka nisur tregtinë dhe deri në fund të jetës së tij ai ka kontribuar pa pushim për mundjen”, pohon Enklajd Malo.  

Në ceremonin e hapjes ka qenë i pranishëm dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, i cili ka vlerësuar më së tepërmi turneun.

“Një kënaqësi e veçantë që po shikojmë këtë turne madhështon “Muhamet Malo”. Për mua është viti i dytë që marrë pjesë dhe shikoj që numri i flamujve vjen në rritje, ndërsa janë 12 shtete pjesëmarrëse. Besoj se do të jetë një numër prej 200 sportistësh pjesëmarrës, që do të thotë rritje dhe kjo vjen si mbështetje e shtetit shqiptar dhe e Ministrisë, që unë përfaqësoj. Por mbi të gjitha pasionit të veçantë të presidentit të Federatës, Sahit Prizreni, i cili duhet përgëzuar sepse pa përpjekje dhe pa dashurinë për sportin, apo pa këmbënguljen nuk do të arrihej deri këtu”, thekson zëvendësministri Hoxha.

E diela është për stilin e lirë për të bërë mbylljen zyrtare turneut ndërkombëtar “Muhamet Malo”, i cili do t’ia lërë radhën Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç më 12-18 qershor në Tiranë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img