Janë luajtur sot ndeshjet e javës së tretë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e dytë të futbollit shqiptar. Murlani i drejtuar nga trajneri Vahedin Pepaj ishte mysafir në Kuçovë duke u ndeshur me skuadrën vendase, Naftëtari.
Ndeshja është mbyllur me rezultatin 2 me 1 në favor të vendasve. Për t’u theksuar është se Murlani ka luajtur me 10-të lojtarë në fushë që nga minuta e 27-të pasi arbitri ndëshkon me karton të kuq futbollistin Tafa, pikërisht një minutë pasi Naftëtari shënoi golin e avantazhit nga Saraçi.
1-0 mbyllet pjesa e parë në favor të Naftëtarit, ndërkohë që pas shumë ngulmimesh Murlani arrin të barazojë rezultatin në minutën e 86-të me anë të Hasajt. Barazim që përmbyset në favor të vendasve në minutën e 95-të përsëri nga Saraçi me anë të një penalltie që sipas kampit murlanas ka qënë shumë e dyshimtë duke i dhënë fitoren Naftëtarit me rezultatin 2 me 1.
Por, përpos akuzave për arbitrimin, Murlani ka një reagim edhe për gabim teknik të konstatuar gjatë ndeshjes, verifikimi i të cilit i jep tre pikët në tavolinë Murlanit.
Reagimi në fjalë vjen në mënyrë zyrtare nga KF Murlani nga kapiteni i kësaj skuadre, Senad Lekaj, i cili për Veriu Sport, thotë.
“Ekipi kundërshtar ka aktivizuar për 90 minuta një lojtar që ka pas në fanell numrin 22, dhe në protokollin e ndeshjes ka pas numrin 15. Një rast ky i ngjashem që i ka ndodhur Vllaznis së Shkodrës para pak viteve kundër ekipit të Skënderbeut, ku lojtari Ansi Nika ka pas në pantallona numrin 6 dhe në fanell numrin 11. Vllaznia e ka fitu atë ndeshje 2-1, por e ka humbur në tavolinë me rezultatin 3-0 kur është vertetuar nga zyrtarët e ndeshjes. Në rastin e sotëm gjatë ndeshjes, Naftëtari-Murlani, lojtari në fjalë ka pas në mbathje dhe në bluzë numrin 22 dhe në protokollin e ndeshjes numrin 15-të. Një gjë e tillë citohet edhe në rregullore në paragrafin 46.2 duke i dhënë të drejtë Murlanit të kërkojë pikët në tavolinë. Rasti në fjalë është i konfirmuar edhe nga delegati i ndeshjes, i cili në një moment e ka ndërprerë ndeshjes duke i thënër arbitrit të ndeshjes se ky numër nuk i del në sistem.”, sqaron ndër të tjera kapiteni i Murlanit Senad Lekaj i autorizuar zyrtarisht edhe nga drejtuesit e klubit për të përcjellë reagimin në fjalë.
Gjithnjë, sipas kapitenit të Murlanit, Senad Lekaj, çështja në fjalë do të diskutohet nga komisionet përkatëse në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku Murlani insiston në marrjen e tre pikëve në tavolinë.