Monday, November 25, 2024

Ndalet Kukësi, kurbinasit barazojnë në shtesë. Laçi-Kukësi 2 me 2

Lexo

Dygolëshi i Zarubicës shpëton Laçin nga humbja përballë Kukësit kryesues dhe njëkohësisht i jep frymëmarrje pankinës së Vukicevic, që rrezikon jo pak nga rezultatet, por edhe nga loja e treguar nga bardhezinjtë në pjesën e parë. Longo ndalet për herë të parë në javën e tretë të Superiores, por për italianin është keqardhja e një avantazhi të dyfishtë të çuar dëm, në kohën kur të tijtë mund ta kishin administruar ndryshe ndeshjen.

Nën presion për faktin se kishin një pikë në dy ndeshje kurbinasve iu bllokuan këmbët në pjesën e parë, edhe për shkak të sjelljes agresive të kundërshtarit, që në momentin e fundit propozoi në fushë edhe tre lojtarët që duhet të mungonin, Hila, Lulaj e Ndreca. Impakti me ndeshjen ishte krejtësisht në favor të bluve që luajtën një pjesë të parë me sens unik, duke goditur prapavijën kurbinase me Basa Fejiao, por vetëm në minutën e 30 mundën të zhbllokojnë ndeshjen.

Milunoviç shënoi golin e avantazhit për skuadrën e Longos, që imponoi lojën pa rrezikuar praktikisht asgjë prapa. Laci, përtej agonizmit në kontraste nuk u duk kurrë në anët e Tafas, duke i dhënë mundësinë miqve të shkonin pranë golit të dytë në më shumë se një rast. Milunovic flirtoi me dygolëshin në të 37’, në krosimin e Ndrecës, ndërsa 60 sekonda më vonë humbi një mundësi për të vënë duart në kokë.

Kukësi prodhoi lojë raste, zbaviti, por shpenzoi shumë e në ndeshje si kjo kundër Laçit gabimet peshojnë. Vukicevic e kuptoi se nuk kishte më asgjë për të humbur e se kishte gabuar gjithçka në pjesën e parë, kështu pas pushimit në dushe mbetën Velija, Ademi dhe Shehu dhe bardhezinjtë u kthyen me Bytyçin, Zylfiun dhe Guindon.

Lëvizjet u ndjenë dhe për herë të parë kurbinasit tentuan portën kundërshtarë në të 48’ me Guindon, që u ndal nga ndërhyrja vendimtare e Ndrecës. Rreziku për tu ndëshkuar me skuadrat të zgjatura ishte, por për fatin e Laçit blutë falin shumë, si Shqiprim Taipi me portën e boshatisur, në minutën e 50-të.

Por fati u duk se braktisi kurbinasit në minutën e 57të kur kaloi nga episodi potencial i barazimit 1-1 në 0-2 në harkun e 1 minute. Lushkjan e ndali vetëm shtylla për t’iu gëzuar barazimit e në përmbysjen e fronteve Basa i ndëshkoi me golin e dytë. Duhet të kishte shembur shpresat e Laçit kjo situatë, por ndodhi e kundërta. Efekti ishte një shkundje totale, e ndihmuar edhe nga një tërheqje e Kukësit në mbrojtje të rezultatit.

Atëherë me fushë në dispozicion bardhezinjtë u zgjidhën nga zinxhirët duke provuar me Mazrekaj në të 66’ me një goditje dënimi që nuk suprizoi Tafas, e duke ngushtuar diferencën tre minuta më pas. Zarubica mori skenën duke lëvizur mirë brenda zonës për golin që ktheu Laçin në lojë e më pas, në minutën e 83-të duke tentuar kuadratin e Kukësit sërisht.

Pa rezultat, por vetëm deri në minutën e 5-të shtesë, sepse malazezi nuk hoqi dorë dhe barazoi një ndeshje dramatike, duke i bërë një favor të madh bashkëkombasit të tij në pankinë. Kukësit i fluturon fitorja nga duart e mbylli me 10 lojtarë sfidën, pas kartonit të dytë të verdhë të Lulajt, por dy pikët e lëna në Laç janë më tepër përgjegjësi e tyre, sepse kurbinasit i falën më shumë se një pjesë loje.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img