Ndryshon ora e ndeshjes miqësore, Spanjë-Shqipëri, që do të luhet më 26 mars 2022 në stadiumin “RCDE” të Barcelonës. Kjo sfidë ishte programuar të fillonte në ora 19:00, por pas kërkesës së Federatës Spanjolle të Futbollit dhe konsultimeve me FSHF dhe UEFA-n është rënë dakord që miqësorja të nisë në ora 19:45.
FSHF ka nisur prej javësh përgatitjet për këtë ndeshje, që do të jetë e para e Kombëtares shqiptare për këtë vit. Kjo do të jetë ndeshja e parë miqësore mes këtyre dy përfaqësueseve, të cilat deri më tani kanë luajtur ndaj njëra-tjetrës shtatë sfida, të gjitha të vlefshme për kualifikueset e kampionateve europiane dhe botërore.
Ndërkaq, vetëm tre ditë më pas, më datë 29 mars 2022, Shqipëria do të zhvillojë një tjetër miqësore ndaj Gjeorgjisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, duke nisur nga ora 18:00.
Dy miqësoret zhvillohen në kuadër të përgatitjes së Kombëtares shqiptare për ndeshjet e grupit në Ligën e Kombeve, që startojnë në muajin qershor.