Në emisionin e nëntë të emisionit “Në Shtëpinë e Futbollit”, që transmetohet çdo të mërkurë live në FSHF TV, fokusi kryesor ishte te paraqitjet e legjionarëve, investimet e FSHF-së dhe mbrëmja Gala “Topi i Artë” e projekti “Uniforma ime”.
Nën drejtimin e Lenida Halilaj, të ftuar në pjesën e parë të kësaj puntate ishin Tefik Osmani, drejtor i Departamentit të Skautizmit në FSHF, dhe moderatori i njohur sportiv Altin Sulçe. Kjo pjesë iu kushtua analizës së paraqitjes së lojtarëve të Kombëtares, me fokus te golat e Manajt, Muçit dhe Mehmetit, si edhe te asistet e Medon Berishës e Mario Mitajt. Një vlerësim i veçantë iu bë edhe portierit Strakosha, i cili priti një penallti, ndërsa Asllani gaboi nga pika e bardhë.
U diskutua gjithashtu për dëmtimin e Arbër Hoxhës në ndeshjen kundër Goricës, ku u saktësua se mesfushori kuqezi nuk ka asgjë serioze dhe pritet të jetë i gatshëm për sfidën e radhës.
Gjithashtu, në studio u fol edhe për dy miqësoret e Kombëtares së vajzave ndaj Turqisë. Performanca e skuadrës në të dy takimet dhe debutimi i prurjeve të reja ishin në qendër të diskutimeve.
Në pjesën e dytë të emisionit, në studio u bashkua drejtori i Departamentit të Projekteve në FSHF, Kevin Lleshi, i cili foli për investimet e reja dhe të shumta të Federatës. Në qendër të diskutimit ishin stadiumi i Vorës, punimet në fushën stërvitore në Krujë dhe vizita e Presidentit Duka në stadiumin e Tetovës.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte edhe mbrëmja Gala e FSHF-së, që do të mbahet më 15 dhjetor në Teatrin e Operas dhe Baletit, si edhe projekti “Uniforma ime”, nga i cili përfitojnë mbi 20 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe fëmijët e Luginës së Preshevës.



