Mladen Milinkoviç, që prej dy javësh është trajneri i Partizanit, të dielën do të ketë provën e parë zyrtare në krye të “të kuqve”. Bëhet fjalë për sfidën me Vorën, e cila do të luhet në ora 20:00 në Arenën e Demave dhe që do të vijë drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Në konferencën për shtyp, një ditë përpara ndeshjes, Milinkoviç ka treguar për RTSH Sport se si ka qenë kjo periudhë në krye të Partizanit.
“Gjatë këtyre dy javëve kemi luajtur një ndeshje miqësore me Bylisin dhe pjesën tjetër të kohës e kemi kaluar duke u munduar të gjejmë formacionin më të mirë për ndeshjen me Vorën. Jemi munduar të injektojmë idetë tona te lojtarët dhe shpresojmë që në pak kohë të shohim gjëra që duam. Patjetër që në ndeshjen e parë nuk je i qartë se sa je i përgatitur. Dhe këtë nuk po e them vetëm për ne, por edhe për ekipet e tjera, të cilat duan një apo dy ndeshje për të treguar më të mirën. Jam munduar të transmetoj te lojtarët që në ndeshjen e parë është më i rëndësishëm rezultati”.
Milinkoviç ka dhënë dhe konsideratën e tij për Vorën, e cila vjen nga Kategoria e Parë: “Vora është skuadër që vjen si kampione e Kategorisë së Parë. Luan për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar nëse nuk gaboj. Nga kjo perspektivë besoj se nuk kanë presion. E njoh pak mentalitetin këtu dhe çdo klub e president do që skuadra e tij të fitojë ndeshjen. Ndaj për këtë arsyer nuk pres të jetë e lehtë me ta. Kanë kualitet dhe disa lojtarë që luajnë prej disa vitesh bashkë. Kanë marrë lojtarë të rinj dhe i kam shpjeguar skuadrës se nuk duhet të pushojmë një minutë gjatë gjithë ndeshjes nëse duhet të fitojmë”.
Në vijim, tekniku i të kuqve, Milenkoviç, flet edhe për mundësinë e fitoreve të dy ndeshjeve të para radhazi, por, fillimisht thotë të kalojmëVorën.
“Siç thuhet është e vështirë të fitosh 2 ndeshje në shtëpi, por nëse i merr pikët maksimale që në ndeshjet e para, gjithçka bëhet e lehtë për vazhdinësinë. Por më parë le të kalojmë Vorën”, u shpreh tekniku i të kuqve..
Në fund, Milinkoviç ka folur dhe nëse do të ketë përforcime të tjera në skuadër deri në fund të merkatos së verës, apo jo.
“Për ne më e rëndësishme është ndeshja nesër. Këto 2-3 ditë i gjithë fokusi ka qenë përsa i përket ndeshjes me Vorën. Do të doja që të gjithë të jenë të gatshëm për nesër, por kemi disa probleme të vogla me disa lojtarë. Nuk jam dikush që qan kur nuk kam dikë të gatshëm për ndeshjen. Besoj te forcat e grupit. Ne mundohem të ndërtojmë një grup të shëndetshëm, që do luftojë deri në maj për objektivat e klubit”.