Sot sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përmbyllur me sukses kursin e parë për përgatitës atletikë për vitin 2023, ku u diplomuan 21 trajnerë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.
Ky kurs që nisi në muajin janar të këtij viti zgjati tre muaj, me rreth 100 orë në total dhe në ndryshim nga edicionet e kaluara, veç lektorëve shqiptarë, studentët e regjistruar kanë pasur mundësinë të mësojnë edhe nga profesorë të përgatitjes atletike nga Italia, por edhe nga vende të tjera të Euroës. Gjithashtu, edhe përgatitësit atletikë të licencuar nga FSHF, të cilët punojnë në klubet shqiptare kanë ndarë me studentët e këtij kursi eksperiencat e tyre në këtë profesion.
Ditën e sotme u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për 21 pjesëmarrësit në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’, teksa të pranishëm ishin drejtuesi e Sektorit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova, si edhe trajneri i përgatitjes atletike, Iris Selimi.
Pjesë e listës së të diplomuarve të parë në këtë disiplinë është edhe trajneri i KF Shkodra, Rudi Piraniqi. I dalë nga shkolla e KF Shkodrës, aty ku i ati tij, trajneri por edhe ish drejtuesi i KF Vllaznia, Taip Piraniqi, ka bërë histori në prodhimin e shumë talenteve që sot luajnë te Vllaznia, në Superioren e futbollit shqiptar, në Kosovë, Europë dhe më gjërë, Rudi Piraniqi i rriti shumë shpejt nivelet e tij si trajner futbolli.
Krahas shërbimit si mësues i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare “Ndoc Mazi, prej disa vitesh Rudi Piraniqi vazhdon të punojë me përkushtim përkrah babait të tij, Taip Piraniqi në stafin e KF Shkodra. I përkushtuar për t’u rritur profesionalisht, Rudi Piraniqi, kaloi me radhë të gjitha shkallët e trajnimit për të mbërritur tek niveli më i lartë, ai i liçencimit me UEFA Pro.
Ndërkohë, me hapjen e kursit të parë për përgatitësit atletik, Rudi u bë menjëherë pjesë e tij, ku pas një proçesi tre mujor, sot u kurorëzua me diplomën përkatëse. Me marrjen e kësaj liçence, Rudi Piraniqi bëhet ndër trajnerët e futbollit më të kompletuar në Shkodër dhe më gjërë. Çka do të thotë, se për KF Shkodra, të cilit ai i përket si trajner, por edhe si administrator së bashku me babain e tij Taip Piraniqi, është një luks të ketë në stafin e tij një trajner të tillë, që është edhe një garanci më shumë për të kontribuar në rritjen e cilësisë sportive të këtij klubi, përparësia kryesore e të cilit është puna me moshat.
Gaspër MARKU