Wednesday, November 27, 2024

Nga: Martin DEDAJ FITORE E ÇMUAR E BESËLIDHJES NË FUSHË-KRUJË

Lexo

Iliria-Besëlidhja  0-1

                                           (Shënues: D. Marku 80’)

 Besëlidhja e Lezhës ka marrë me meritë një tre pikësh shumë të vlefshëm, në një transfertë të vështirë përballë Ilirisë, ndeshje e vlefshme për javën e tretë të Grupit A, të kategorisë së dytë, pjesë e së cilës është edhe ekipi lezhjan, që është zhvilluar të Shtunen më, 07.10.2023, dhe ka startuar në ora 14.00, në stadiumin “Redi Maloku”, të Fushë-Krujës, një stadium model për nga infrastruktura dhe tapeti i fushës, falë investimeve të kryera nga Presidenti i Ilirisë, Selmani.

Ndeshja ka filluar e shpejtë , me epërsi të vendasve, që në minutat e para të lojës, ku Gjini i pati të gjitha mundësitë të shënonte, dhe ndeshja mund të kishte marrë edhe rrjedhë tjetër, por nuk mungon edhe reagimi i lezhjanëve, të cilët luajnë kujdesshëm në mbrojtje ku padyshim spikat eksperienca e kapitenit Dibra, dhe hera-herës dalin rrezikshëm në kundërsulm, me aksione të ndërtuara nga thellësitë e mbrojtjes e të përpunuara me efektivitet nga lojtarët e mesëfushës, dhe dalë në sulm nga krahët dhe në qendër, duke rrezikuar me dy sulmuesit Danaj e Përgjoni, të cilët e vunë në vështirësi disa herë mbrojtjen vëndase, me në krye kapitenin me eksperiencë Sefgjini, i cili në këtë ndeshje ishte në lartësinë e duhur.

Ndeshja pati ritëm, grintë, dhe plot raste sa në njërën portë në tjerën. Por pavarësisht kësaj pjesa e parë mbyllet me shifrat e bardha 0-0.

Pavarësisht elektrizimit të situatës nga tifozëria vendase, e cila duhet thënë se përgjatë gjithë lojës e ka mbështetur skuadrën e Ilirisë, Iliria nuk arriti të shfaqej e rrezikshme në portën lezhjane, dhe hera-herës në këtë pjesë loje pati edhe tensione, që referuar ritmit të ndeshjes, rëndësisë që ajo kishte, pasi të dyja ekipet donin të shkëputnin fitoren njëra-tjetrës, në një farë mënyre ishin edhe të pranueshme. Por për të qetësuar situatat që shfaqnin tendenca agrevimi, gjygjtari kryesor dha disa kartona të verdhë për të dyja palët, duke tejkaluar situatat e ” nxehta” të krijuara.

Minutat ecin pa u ndjerë dhe Besëlidhja fiton dyliftimet në mesfushë, duke agrevuar drejt sulmit e krijuar përshtjellime disa herë në mbrojtjen vëndase, ku në njërin prej tyre sulmuesi Përgjoni e udhëheq vetë topin që nga thellësitë e mbrojtjes, u shmanget në duel shpejtësie dy lojtarëve të Ilirisë dhe nxjerr në një pozicion shumë të pastër Danajn, i cili i kishte të gjitha mundësitë dhe duhej të shënonte. Për të ardhur tek rasti i golit i ’80-të, ku pas një aksioni nga e majta e sulmit lezhjanët fitojnë një goditje këndi, nga ekzekutimi i së cilës, brenda zonës David Marku, falë intuitës së tij, përfiton nga pasaktësia e mbrojtjes vendase dhe e dërgon topin në rrjetë dhe Besëlidhja udhëheq 0-1. Fushëkrujasit të dëshpëruar e nisin lojën nga qendra, dhe kërkojnë me ngut ta barazojnë lojën, por pa mundur ta bëjnë një gjë të tillë, falë qëndresës stoike të portierit dhe mbrojtjes lexhjane.

Trajneri Smajli, bën në fund të kohës së tregullt disa zëvëndësime. Ndërkohë që jepen 7′ shtesë, të cilat administrohen mirë nga lezhjanët. Nga ana e tyre futbollistët vendas hera-herës edhe të nervozuar, përpiqen të përfitojnë çdo sekond të lojës, pa mundur ta ndryshojnë rrjeshën e saj, duke pranuar kështu humbjen në fushën e tyre.

Kështu që, Besëlidhja e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli dhe ndihmuar nga Alket Kruja dhe Ervin Hoxha, një treshe me kontribut të spikatur në futbollin lezhjan dhe jo vetëm, ka marrë një fitore të rëndësishme përballë Ilirisë, që duhet thënë se ishte një ekip me lojtarë cilësorë dhe me përgatitje të lartë teknike dhe fizike, që pavarësisht humbjes ndaj Besëlidhjes, do të jetë një ekip pretendent dhe do ti japë tonin kampionatit, të këtij grupi ku shumë skuadra, synojnë ligën e parë, ku padyashim njëra prej tyre është dhe do të jetë Besëlidhja, që në tre javët e para ka marrë dy fitore, dhe ka humbur një me kryesyesen e kampionatit Valbonën e Tropojës, që udhëheq me pikë të plota. Dhe në mbyllje të kësaj kronike po evidentoj disa gjëra pikante të këtij takimi:

* * * *

* Para fillimit të takimit është ekzekutuar himni i skuadrës së Ilirisë shoqëruar me duartrokitje dhe ovocione të zjarrta.

* Në fund të takimit presidenti dhe stafi teknik i Ilirisë, përgëzuan miqtë për fitoren.

* Duhet evidentuar fakti se kjo ndeshje u zhvillua me një ritëm të lartë, që ndoshta shumë ndeshje të superligës dhe kategorisë së parë, do ta kishin zili.

* Këtë ndeshje e kam ndjekur bashkë me kolegët Filip Gjokeja e Preng Gjikolaj, ky i fundit i ngarkuar nga Panorama Sport, për të përgatitur kronikën e ndeshjes.

* Tifozëria e zjarrtë vëndase, ka përkrahur gjatë gjithë lojës ekipin e tyre të zemrës, me thirrje, tupan, fishekzjarre, flamuj dhe dekore e banderola të ndryshme, ngjyra-ngjyra. Ndërkohë para ndeshjes furgonë dhe makina, me flamuj dhe ovacione parakaluan rruglve të qytetit.

* Presidenti i ILIRISË, Selmani, për të gjithë të pranishmit e tribunës VIP, ka ofruar gratis pije freskuese.

* Ndeshja është ndjekur dhe monitoruar me korrektësi dhe profesionalizëm nga forcat policore të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, nën drejtimin e oficerit me eksperiencë dhe karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, mikun tim të hershëm N/ Komisar Luan Avllaj, dhe ato të Policisë Bashkiake, Krujë dhe nuk pati asnjë problem.

* Kjo ndeshje për mua dëshmoi mësëmiri shembullin sesi duhet të organizohen dhe moderohen ndeshjet e futbollit. Dhe pikërisht ky shembull vjen nga Fushë-Kruja, një qytet dashamirës me futbollin dhe që jeton me të.

Martin DEDAJ-Komentator futbolli

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img