FLORENC FARRUKU:
“Krenar për gjithçka arritëm. Tani mendoj për hapin e radhës në karrierë”
- Një sezon shumë pozitiv për Burrelin. Si e përjetuat?
Kemi bërë një kampionat dinjitoz dhe të bukur, ku secili ka dhënë maksimumin- drejtuesit, trajnerët dhe ne lojtarët. Objektivi ynë ishte vendi në gjashtëshen më të mirë dhe e siguruam vendin e katërt pesë javë para fundit. Padyshim, më vjen keq që nuk e vazhduam ëndrrën për më lart, por kjo është bukuria e futbollit. Mos të harrojmë se një vit më parë rrezikonim rënien.
- Roli juaj ka qenë vendimtar. Sa i kënaqur jeni me veten dhe skuadrën?
Po, si kapiten, përgjegjësia ishte e madhe dhe mendoj se ia dola ta përballoj me sukses. Jam i kënaqur si për veten, ashtu edhe për grupin.
- Gati gjysma e golave janë tuajt. Komenti?
Detyra ime është të shënoj. Jam përpjekur maksimalisht dhe thjesht kam bërë atë që duhet. Se siç dhe thuhet: “Realizimi është detyrë, tejkalimi është nder.”
- Sezoni më i mirë i karrierës suaj deri tani?
Pa dyshim. Kam qenë pjesë e ekipit për gjashtë vite, por ky ka qenë sezoni më i mirë, si në gola ashtu edhe në paraqitje.
- Përfliten disa oferta nga Superliga dhe jashtë saj. E ardhmja?
Ka interes, është e vërtetë. Por për momentin nuk kam vendosur. Do analizoj gjithçka për të bërë zgjedhjen më të mirë për karrierën.
- Suksesi: Bast i fituar i trajnerit Bicaj apo objektiv personal?
Të dyja. Edhe trajneri Bicaj besoi tek unë, edhe unë vetë kisha objektivin për të kaluar 10 golat. Fatmirësisht ia dola me 15, sipas profecisë së trajnerit.
- Një vit më parë folët për “divorc”. Këtë herë do largoheni?
Nuk është vendosur ende, por gjithmonë kam dashur më shumë për Burrelin. Gjithsesi, çdo lojtar synon rritje në karrierë dhe unë nuk bëj përjashtim.
- Si është rutina juaj aktualisht?
Pas 10 ditë pushim, kam rifilluar stërvitjet individuale që në fillim të majit. Dua të mbaj formën.
- Çfarë ju motivon më shumë: rritja profesionale apo financa?
Të dyja janë të rëndësishme. Por nëse do zgjidhja vetëm një, do ishte rritja profesionale, pasi dua të lë gjurmë.
- Momenti më i mirë dhe më i vështirë?
Më i miri: arritja e objektivit të 15 golave kundër Kukësit. Më i vështiri: humbja ndaj Pogradecit, që na ndali ëndrrën.
- Objektivat për sezonin e ardhshëm?
Të rritem profesionalisht dhe të shënoj sa më shumë gola. Çdo hap i ardhshëm do të jetë me këtë synim.
Lezhë, më 24.05.2025