Vllaznia-Kastrioti, është ndeshja e vetme që luhet sot për llogari të javës së pestë të kategorisë Abissnet Superiore. Sfida që do të nis në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës do të gjykohet nga një arbitre femër, një risi kjo nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Do të jetë pikëtisht abitrja nga Elbasani, Emanuela Rusta, së cilës i është besuar të vërë drejtësi në duelin e sotëm. Dhe, në fakt, për Emanuelen nuk është hera e parë që gjykon në “Loro Boriçi”, sepse përpos ndeshjeve të kampionatit të femrave, sezonin e kaluar ajo drejtoi me kompetencë si kryesore edhe një ndeshje të kategorisë Superiore.
Emanuela Rusten e shoqërojnë në këtë takim dy anësorët Dojando Myftari dhe Emigers Ganxhi, përkatësisht nga Tirana dhe Elbasani. Kreshnik Bajramaj nga Tirana do të jetë në pozicionin e gjyqtarit të katërt.
Ndërkohë, një elbasanas tjetër, Enea Jorgji do ta ndihmojë Emanuelën në këtë duel të fortë në sistemin VAR, ndërkohë që tiranasi Astrit Mahmuti është në pozicionin e AVAR.