“Xhoda Sport” ka qenë përherë kundër dhunës në futboll, e ka dënuar atë publikisht dhe me forcë. Kësisoji, mospajtimi me dhunën në futbollin e femrave është shumëfish nga portali ynë, sepse femrat meritojnë të trajtohet me respektin maksimal në do fushë të jetës, veçanërisht ato që kanë thyer tabutë dhe luajnë futboll e na dhurojnë emocione ekstra.
Duhet ta bëjmë këtë sqarim, së pari duke iu referuar asaj që ka ndodhur në ndeshjen Tirana-Vllaznia për femra, të shtunën, ku ka pasur përplasje të ashpra, edhe fizike. Ne nuk mbajmë anë, nuk vëmë gishtin në këtë rast se kush është fajtori, kush e nisi dhe kush e bitisi dhunën në këtë ndeshje, por themi me siguri: jemi kundër çdolloj dhune në futboll.
Nuk kemi informacion shterrues për atë që ka ndodhur, sikurse nuk kanë edhe media të tjera, sepse nuk ka qenë e mbuluar nga gazetarët. Siç duket, ka ndikuar edhe koha e keqe e së shtunës, ndaj mbulimi mediatik i Tirana-Vllaznia për femra nuk ka qenë i duhuri për të pasur një panorama më të qartë.
E bëjmë këtë sqarim për të dyja palët e përfshira në sherrin masiv, sepse Tirana është keqkuptuar nga një koment krejt personal i Eugent Zeka, duke e lidhur mbiemrin e tij me atë të poseduesit të këtij portali, prof. dr. Xhevdet Zekaj.
E vërteta është se nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Eugent Zeka është trajner profesionist futbolli në Itali, shkodran 240 katarësh, që ka bërë edhe drejtorin e klubit të Vllaznisë para pak vitesh. Ai ka dhënë mendimin e tij krejt personal, duke mbrojtur Megi Doçin dhe vajzat kuqeblu, duke dënuar dhunën te femrat, në futboll po e po.
Në të njëjtën mënyrë, ne si portal kemi pasqyruar edhe deklaratën për shtyp të Tiranës mbi atë që ka ndodhur. Kjo është detyra jonë, të pasqyrojmë palët, edhe pse duhet sqaruar se Eugent Zeka nuk ka asnjë funksion zyrtar te Vllaznia, ka dhënë mendimin e tij personal e profesional.
Se cila ka qenë e vërteta këtë pritet ta certifikojë FSHF-ja, me komisionet e saj disiplinore, nuk e marrim përsipër ne si portal. Ajo që e themi me zë të lartë ne është se dhuna nuk ka vend në futboll, e dënojmë me forcë si shfaqje kurrsesi sportive, pa ia drejtuar gishtin askujt. Sidomos në këtë rast, ku informacionet janë kontradiktore, vetëm nga palët e përfshira në çështje, ndërsa mbulimi i ndeshjes nga gazetarët, në rolin e të paanshmëve, fatkeqësisht ka munguar të shtunën.
Prof. dr. Xhevdet Zekaj