Nuk ka fitues në derbin e kryeqytetit që u zhvillua në “Elbasan Arena” mes Dinamos dhe Partizanit. Të dy skuadrat u ndanë në “paqe” mes tyre duke mos arritur asnjëra të marrë pikët e plota. Megjithatë përtej rezultatit, ishte ndeshja ajo që la për të dëshiruar, me raste të pakta për të realizuar dhe aspak efektive nga asnjëra prej skuadrave.
Në pjesën e parë dy skuadrat e kryeqytetit u ndanë në paqe me barazimin 0-0, teksa më kërcënues ishin “të kuqtë”. Cara, Mala e Kallaku tentuan në disa raste që të godisnin portën e Harizajt në këtë fraksion, por ishin të pafat.
Partizani tregoi karakter, sa i përket dominimit të ndeshjes, por në finalizim gaboi shumë në 45-minutëshin e parë të derbit, teksa Dinamo tregoi formë të mirë deri diku në mbrojtje, por më shumë në ne portë, me Harizaj që shpëtoi ekipin e tij në disa raste të rrezikshme.
Edhe pjesa e dytë e kësaj përballjeje do të vinte pak a shumë me të njëjtin ritëm si 45-minutëshi i parë. Ritmi i këtij fraksioni u diktua në pjesën më të madhe nga Partizani, megjithatë pa rezultat. Momenti më i rrezikshëm ka qenë në minutën e 80’, kur Murataj doli jashtë me karton të kuq pas një ndërhyrje të gabuar ndaj Siljanovskit, teksa Partizani rrezikoi edhe penallti, por VAR e hoqi dhe i dha goditje dënimi Dinamos, që nuk mundi ta shfrytëzonte këtë rast.
Rastet edhe në këtë fraksion ishin më të shumta për “të kuqtë” e kryeqytetit, të cilët përpos dëshirës nuk ia dolën të merrnin 3 pikët dhe të ngjiteshin në renditje, duke qëndruar në vendin e pestë me 30 pikë. Teksa Dinamo i shpëtoi momentalisht zonës së kuqe, duke kaluar në vendin e shtatë me 20 pikë, pas pikës së marrë nga ky barazim.