Olsi Rama, drejtori i Partizani ka reaguar ashpër ndaj gjyqtarit Enea Jorgji. Partizani nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0, ditën e djeshme në derbi ndaj Dinamos, ndërsa në këtë takim nuk munguan as polemikat. Të kuqtë ngelën me 10 lojtarë pasi Murataj mori të kuq dhe arbitri Jorgji akordoi penallti për Dinamon, por më pas e ktheu me VAR. Pas ndeshjes, Olsi Rama foli për mediat, ndërsa u shpreh se Jorgji ka harruar integritetin personal në shtëpi, ndërsa gabon me tendencë kundër Partizanit.
“Të jem i sinqertë, shkova në pjesën e parë dhe i kërkova skuadrës që të ishin më të vëmendshëm dhe të luanin më të vendosur.
Sigurisht nuk jam aspak i kënaqur, sepse duhej patjetër që ta fitonim këtë ndeshje me cilësinë dhe ekipin që kemi, ashtu edhe me rastet që krijuam. Në këtë ndeshje na mungoi agresiviteti sportiv i metrave të fundit, ku ekipi duhet të jetë më cinik, të shfrytëzojë rastet dhe ta mbyllë ndeshjen që në pjesën e parë”.
“Unë me gjykimin kam një problem shumë të madh, me një arbitër të FIFA-s, i cili me një faull që bëhet dy metra e gjysmë përpara se lojtari të hyjë në zonë, jep penallti pa asnjë dyshim dhe më pas të kuq. Ka edhe një faull më parë te Marku, që duhet ta rishikojë, por as që u mor parasysh.
Nuk e di se si një arbitër është recidiv në rastin e Partizanit, sepse e kemi parë edhe në ndeshjet e tjera të japë penalltitë në mënyrën më të shkujdesur të mundshme. Kam qenë në atë pjesë të fushës dhe e kam parë vetë direkt, pa pasur aspak trajnim arbitri që faulli i Muratajt fillon dy apo tri metra larg zonës së rreptësisë dhe lojtari më pas bie në zonë.
Por, nuk mund të jepet penallti domethënë, është një gabim i pafalshëm. Këta lloj arbitrash nuk mund të mendojnë që të vendosin drejtësinë nga VAR-i. Unë kam një mënyrë zgjidhjeje, por nuk dua ta bëj, sepse jam Olsi Rama.
Nuk mund të merrem personalisht me një arbitër, i cili ka harruar integritetin personal në shtëpi të vet dhe vjen të gjykojë Partizanin në një mënyrë krejt të shkujdesur dhe të papërgjegjshme dhe këtë e kam me bindje që e them. Është për mua një gabim i pafalshëm, që unë e shoh me tendencë që vetëm përsëritet”, u shpreh drejtori i Partizanit.