-Ti je shembull Ylli, që ke krijuar një model dhe po e ruan të shenjtë
BUJAR QESJA
“Partizani” në volejboll për meshkuj, nën drejtimin e teknikut Ylli Tomori fitoi Kupën e Shqipërisë për vitin 2025. E kam thënë edhe një herë tjetër: ti je një Yll mbi Tomorr, mal i njohur ku kryhen edhe rite shpirtërore.
Ti je histori Ylli, që prodhon histori! Ti je nder Ylli, që “prodhon” nder edhe për ne!
Ti je shembull Ylli, që ke krijuar një model dhe po e ruan të shenjtë!
Kjo nuk është thjeshtë një fitore, por arritje, duke mos u ndalur dhe duke harruar, që vitet po e ngarkojnë fizikun tënd.
Nuk është vetëm kupa, që e mat suksesin. Por brenda saj është personaliteti, autoriteti, karakteri dhe statura i një njeriu punëtor, i një pedagogu të sprovuar, i profesionistit të pa cak, duke treguar se jemi ende në rrënjët e identitetit dhe të traditave.
Ti rezistove Ylli! Ti ende po sfidon Ylli! Ti ende e ke larguar lodhjen, duke e veshur volejbollin tonë me kostumin e hijshëm të suksesit!
Ti je yll i të bukurës, i qendresës dhe i mbijetesës, duke t’u dashur të kalosh shumë vështirësi, madje t’i u rrite me to dhe gjithnjë ia ke dalë!
Ti je kthyer në yll, jo thjesht se dua ta shpreh këtë gjë, por ti e don vojejbollin, e dashuron punën, sakrifikon dhe kthehesh në shembull, duke nxitur dhe frymëzuar breza të shumtë volejbollistësh.
Duhet bërë një simpozium kombëtar me emërtimin:
“YLLI TOMORRI DHE VOLEJBOLLI SHQIPTAR”.
Është e vonuar kjo, por u intereson të gjithëve. Nuk ka ekip apo trajner, të ketë në jetën e tij kaq shumë trofe. Ato nuk numërohen.
Sot u zgjova me këto rradhë, madje po bëhem vonë për të nisur me vrull ditën, por nuk mund të mos frymëzohesha nga arritja juaj e fundit, që në optikën e një gazetari të regjur, vjen dhe lexohet kështu.
Të uroj Ylli, jetë, shëndet, gjithnjë kurajo dhe optimizëm, suksese dhe arritje, duke e qendisur jetën tënde me të mirën, me të bukurën, me të dëshirueshmen!
Të përqafoj me shumë mall dhe i mrekulluar nga këmbëngulja për suksese të tilla!
Bujar Qesja-Durrës: 17 mars 2025