Opinion nga Seno FISHTA-Jo ma eksperimente, Vllaznia ka nevojë për drejtim me vizion!

Jo ma eksperimente, Vllaznia ka nevojë për drejtim me vizion!

Afrimet e fundit, si ato të Krujës e Hakajt, rinovimi i Males dhe zërat për emra të tjerë, më japin përshtypjen se Vllaznia po synon realisht kupat e Europës. Ndoshta jo vetëm për objektivin sportiv, por edhe për të siguru buxhetin vjetor për klubin.

Me dy djem shkodranë në krye, si Sinani dhe Martini, ka përpjekje me u dhanë drejtim të ri ekipit. Por me e ba Vllaznin kampione nuk mjafton 1 vit – duhen të paktën 3 vite punë e konsolidim, me gërshetim mes eksperiencës dhe energjisë së re të talenteve shkodranë.

Problem asht që trajneri zakonisht vendoset për “me ba punë për 1 vit”, e nuk ka as luksin, as mbështetjen për me guxu me eksperimente afatgjata. Projekti i mungon, e presioni për sukses e “djeg” para kohe.

Ekipi po kalon në një retorikë kaosi – çdo vit nga e para. Nuk ka vazhdimësi, nuk ka plan afatgjatë.

Historikisht kemi pa raste ku drejtori dhe trajneri bëjnë ekipin sipas qejfit, e kur nuk ecën, ikin. Ai që vjen thotë: “Ky s’asht ekipi jem.” E nis prap prej zeros…

Vllaznia ka nevojë për një bord drejtues serioz, me njerëz që njohin futbollin, kanë kontakte reale dhe mbi të gjitha e ndjejnë fanellën.

Uliks Kotrri – menaxher me lidhje ndërkombëtare, me sy për talente e për transferta që vlejnë

Samuel Nikaj – trajner me përvojë suksesi, njeh tregun kosovar dhe lojtarët e rinj shqiptarë

Arber Shytani & Denis Zmijani – njerëz me pasion, me punë konkrete në rritjen e brezit të ri shkodran

Kjo ndërthurje mund me i dhanë Vllaznisë një projekt gjithëpërfshirës dhe serioz.

Me marrë lojtarë që bajnë diferencën, jo me emra për CV e rroga të larta pa kontribut real.

Vllaznia s’ka nevojë për eksperimente të rradhës. Ka nevojë për vizion, për strukturë, dhe mbi të gjitha – për vullnet të vërtetë me ndërtu dicka që zgjat.

Seno FISHTA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu