Orges Shehi nuk është më trajner i Ballkani. Lajmi është bërë public në mënyrë zyrtare nga ana e FC Ballkani përmes një njoftimi në faqen e klubit suharekas.
Njoftimi i klubit:
Orges Shehi largohet nga posti i trajnerit të FC Ballkani
FC Ballkani njofton se trajneri Orges Shehi nuk është më në krye të skuadrës sonë.
Pas ndeshjes me Drenicën, trajneri Shehi ka informuar lojtarët dhe klubin se kishte planifikuar të largohej në muajin janar. Duke e vlerësuar situatën dhe nevojën për stabilitet të menjëhershëm në ekip, kryesia e klubit ka marrë vendim që largimi i tij të ndodh tani.
Klubi falënderon Orges Shehin për punën dhe kohën e kaluar te FC Ballkani, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.
Deri në një vendim tjetër lidhur me drejtimin e skuadrës së parë, ekipin do ta udhëheq trajneri i U21, Edon Gashi.
Në kampin e të kuqve të Partizanit, gjatë ditëve të fundit ka pasur zëra për një rikthim të mundshëm të Shehit tek Partizani. Një gjë e tillë është fokusuar edhe më shumë teksa Shehi është parë të ndjekë ndeshjen Teuta-Partizani në tribunën e stadiumin “Niko Dovana”.
Sipas burimeve brenda klubit të të kuqve, një gjë e tillë është parë si alternativë për periudhën e fundit të vitit, kur edhe në fakt vetë Shehi e kishte paralajmëruar largimin nga Ballkani, por mbyllja e parakoshme e bashkëpumimit me klubin kosovar, ka ç’orientuar paksa planet.
Ndërkohë, nga ana tjetër, trajneri aktual i Partizanit, Oltijon Kërknaja ka marrë vlerësime pozitive nga specialistët e futbollit, sidomos në fitoren me përmbysje në transfertën durrsake.



