Vllaznia dhe Dinamo kanë ndarë pikët në një përballje të luftuar të javës së 29-të të “Abissnet Superiore”, e cila u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër dhe përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0. Një sfidë me ritëm dhe tension, ku pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat, mungoi finalizimi që do të zhbllokonte ndeshjen.
Kuqeblutë u shfaqën më kërkues gjatë pjesës më të madhe të takimit, duke tentuar të marrin kontrollin e lojës dhe të shfrytëzojnë faktorin fushë. Megjithatë, Dinamo u tregua e organizuar në mbrojtje dhe e rrezikshme në kundërsulm, duke mos lejuar hapësira të shumta për shkodranët.
Ndeshja nuk kaloi pa polemika. Një nga momentet më të diskutueshme ishte një episod në zonë, ku Vllaznia pretendoi për penallti, por arbitri vendosi të vijojë lojën. Po ashtu, një gol i shënuar nga vendasit u anulua për pozicion jashtë loje, vendim që u kontestua nga tifozët dhe stafi i ekipit shkodran.
Pavarësisht përpjekjeve deri në minutat e fundit, rezultati mbeti i pandryshuar, duke bërë që të dyja skuadrat të kënaqen me nga një pikë. Ky barazim i jep Vllaznisë 53 pikë në renditje, duke e mbajtur në krye të tabelës së bashku me Elbasanin, në një garë gjithnjë e më të fortë për titullin kampion.
Nga ana tjetër, Dinamo shkon në kuotën e 40 pikëve dhe ruan vendin e pestë në klasifikim, duke mbetur katër pikë larg zonës “Final Four”. Një rezultat që mban ende të hapura shpresat e bluve për të synuar një vend në fazën vendimtare të sezonit, edhe pse do t’i duhet më shumë vazhdimësi në javët e mbetura.


