Shqipëri-Qipro 2-2(Shënues: Halim Selmanaj 2’, Fabiano Tafa 14’ / Nikos Chadjigeorgiou 6’, Costas Kouloumbris 13’)
Formacioni i Shqipërisë Futsal: Valdrin Mjeku (GK), Arbër Shkodra, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu, Arif Limani. Trajner: Erind Resuli
Kombëtarja shqiptare e futsallit e ka nisur me një barazim 2-2 ndaj Qipros rrugëtimin në raundin paraeliminator të Grupit E të Kupës së Botës në Futsall.
Ndeshja u luajt në Parkun Olimpik të Tiranës, ku kuqezinjtë zhvilluan një përballje të luftuar, dominuan takimin, por nuk arritën ta fitonin ndeshjen.
Trajneri Erind Resuli e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Valdrin Mjeku (GK), Arbër Shkodra, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu, Arif Limani.
Shqipëria kaloi e para në avantazh me golin e realizuar nga Halim Selmanaj. Megjithatë, Qipro reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 6-të me Nikos Chadjigeorgiou.
Në minutën e 13-të Qipro përmbysi rezultatin me Costas Kouloumbris, por reagimi i kuqezinjve ishte i menjëhershëm. Vetëm një minutë më vonë, në të 14-ën, Fabiano Tafa riktheu baraspeshën duke shënuar për 2-2, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Kombëtarja shqiptare krijoi disa mundësi të mira për të kaluar sërish në avantazh, por nuk arriti të konkretizojë rastet. Në minutat e fundit kuqezinjtë iu afruan shumë golit të fitores, por tentativa e tyre u ndal nga shtylla.
Takimi u mbyll në barazim 2-2. Shqipëria do të rikthehet në fushë nesër për ndeshjen e dytë të grupit ndaj San Marino, që do të luhet në orën 19:00 në Parkun Olimpik të Tiranës.


