Partizani-Egnatia 2-1(Shënues: 56′ (p) Hoti, 90’+7′ Skuka / 32′ Camaj)
Partizani e ka nisur me fitore sezonin e ri në “Abissnet Superiore”, ndërsa ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Një fitore në frymën e fundit për të kuqtë e Xhovani Kolelës, të cilët në të shtatën minutë shtesë i falen golit të Xhuljano Skukës
Në fakt Partizani e ka nisur disi i përgjumur lojën, ndërsa Egnatia, me shumë blerje në merkaton verore, është rreshtuar mirë në fushën e lojës. Mbrohet fort dhe kundërsulmon rrezikshëm. Madje kërkon të përfitojë sa më shumë nga gabimet e kundërshtari. Dhe një i tillë vjen në të 32’, ndërsa Rexhepi nuk e ka kontrolluar si duhet topin në zonën e tij, teksa i ka shpëtuar nga duart. Camaj i vëmëndshëm e rrëmben sferën dhe e përcjell në rrjetë dhe 1-0 për Egnatian. Madje i njëjti lojtar ka provuar reflekset e portierit të të kuqve dhe në të 37’, por këtë herë Rexhepi ka pritur. Pjesa e parë është mbyllur 1-0.
45 minutëshi i dytë është një Partizan më këmbëngulës. Madje në të 55’ ka fituar një penallti me ndërhyrjen e sistemit VAR, kjo pas prekjes së topit me dorë nga Atanda. Dhe Hamiti, që e ka parë edhe një herë aksionin, ka drejtuar dorën tek pika e bardhë e penalltisë. Hoti nuk gabon dhe 1-1. Partizani shton përpjekjet, por Sherri bëhet barrikadë. Fundi i lojës krijon panik pas dëmtimit të Masangës në kokë, por për fat kalon gjithçka. Tetë minuta shtesë dhe në fund vjen njeriu i duhur për të shpëtuar Partizanin, pra Skuka dhe tre pikë në këtë start të sezonit për të kuqtë. Kurse Egnatia ndjen keqardhje për një shans të humbur pasi mund dhe duhet të kishte marrë më shumë.