Partizani fitoi minimalisht 1-0 ndaj Laçit, në përballjen e Superiores të luajtur në “Arenën e Demave”. Ka debutuar me triumf rikthimin në stolin e të kuqve, edhe trajneri Skënder Gega, i zyrtarizuar vetëm 2 ditë më parë.
Rasti i parë serioz i takoi kurbinasve, me Myrtën që “flirton” me golin por vetëm kaq, pasi goditja e tij shkon mbi portë.
Në minutat e fundit ritmi u shtua, teksa kryeqytetasit morën avantazhin. Një gabim i kushtoi rëndë laçjanëve, me portierin Molla që nuk largoi si duhet një top, me Eleke që shënoi, duke ndëshkuar kundërshtarin.
Pavarësisht rasteve, nuk pati gol deri në fund. Partizani shkon në kuotën e 47-pikëve në vendin e katërt, ndërsa komplikohen llogaritë te Laçi, që me 33 pikë është në vendin e gjashtë.
Në krahun tjetër, Dinamo u mposht me përmbysje në transfertën e Korçës përballë Skënderbeut. Korçarët ia dolën që të fitonin 4-1 me 3 gola të shënuar nga Nasr dhe 1 nga Nikaj. Ndërkohë golin e vetëm për dinamovitët e shënoi Qardaku.