Për kapitenin e Vllaznisë, Erdenis Gurishta, fitorja e regjistruar pasditen e sotme në transfertë me Partizanin, është një fitore karakteri, sepse, siç pohoi në prononcimin e dhënë për Over Sport pas ndeshjes, kur Partizani të shënon në minutën e 60-të, kjo tregon karakter nga skuadra. “Ne besuam deri në fund. Sot para ndeshjes vetëm dy fjalë i thashë ekipit: Sot besoni që do të fitojmë dhe pastaj do të flasim në fund të ndeshjes. Fituam dhe na u shpërblye i gjithë mundi, mendoj se kemi bërë një ndeshje më të mirë se Partizani, të them realitetin. Të paktën kështu m’u duk mua brenda fushës, jam shumë i kënaqur me këtë fitore. Nuk dua të lavdëroj veten, por unë luaj në shumë role në fushë. Shpeshherë sakrifikoj edhe para mbrojtjes. Mendoj që trajneri ka një xhol në ekip dhe kjo është diçka e mirë pasi në rast mungese, më aktivizon ku ka nevojë.”, tha Gurishta.
Ndeshjen, Partizani-Vllaznia e ka ndjekur prej së afërmi në stadium edhe trajneri i kombëtares, Silvinjo. “ Sigurisht që është motivim, e mora vesh para ndeshjes që do të vijë trajneri i Kombëtares. Jo vetëm për mua, por për të gjithë sepse mendoj se kampionati shqiptar ka shumë lojtarë që meritojnë një ftesë në kombëtare.”, u shpre kapiteni kuqeblu, i cili në drejtimin e Rejes ishte pjesë e kuqezinjëve në dy-tre ndeshje.
Duke vijuar të flasë për emocionet e fitores, Gurishta shton: “Pas ndeshjes u gëzuam shumë se kur vjen fitorja me kthim rezultati është dyfish kënaqësi. I kthyem reston Partizanit se në fazën e parë na mundi në të njëjtën mënyrë duke na kthyer rezultatin. Unë kisha besim që në minutën e parë që do të fitonim dhe ia arritëm qëllimit.”
Ndërsa, sa i përket mungesës së stabilitetit nga ndeshja në ndeshje, Gurishta pranon se skuadra ka pasur mungesë stabiliteti, por thotë se ndaj Teutës në Shkodër kanë bërë një super lojë duke fituar 4-0 dhe kjo është fitorja e dytë radhazi. “Besoj se jemi kthyer në shinat e duhura. Jo për justifikim, por ekipi po vuan shumë mungesat. Nuk duhet të qahemi por kur të mungojnë 4-5 lojtarë, besoj se ka qenë kjo një nga arsyet. Me të gjithë lojtarët në dispozicion, ekipi do të jetë shumë më i fortë.”, tha Gurishta.
I pyetur në lidhja me ofertat në adresë të tij, Gurishta, sqaron: “Unë nuk kam pasur asnjëherë oferta konkrete. Atë e quaj kur vjen një ofertë apo shkresë zyrtare në klub, ato biseda drejtpërdrejt me mua nuk i quaj kurrë oferta konkrete sepse jam futbollisti i Vllaznisë. Duhet të bisedojnë me klubin, deri në verë që më mbaron kontrata, jo me mua. Duhet të paguajnë te klubi dhe pastaj do të jem i lirë. Kam pasur bisedime, por drejtpërdrejt me klubin nuk e di”.