Kurbinasit u mundën sot nga Vllaznia me rezultatin e thellë, 4-1, ndeshje kjo e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” për llogari të javës së 17-të të Abissnet Superiore. Realisht, me atë çfar u pa në fushën e lojës, Laçi u treguai pafuqishëm përballë një Vllaznie në formën e saj më të mirë sportive. Megjithatë, krahas të tjerave, miqtë patën edhe momente të mira dhe me pak fat mund të rifuteshin përsëri në garën e rezultatit. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mediat, tekniku vlonjat i Laçit, Gentjan Mezani, teksa bënte analizën e ndeshjes, mori edhe përgjegjësitë e veta si trajner në këtë humbje.
“Vllaznia ka elementë që të vendosin në vështirësi dhe i shfrytëzon në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne nuk ia dolëm të ishim në ekuilibër gjatë gjithë kohës dhe të ishim të qartë në vendimet tona. Mungesat në mbrojtje bënë të mundur të arnohemi, por sot u pa që nuk ishim të qartë. Është e thjeshtë të hedh përgjegjësitë te dikush, por kryesori jam unë dhe nuk jam i kënaqur që pësuam 4 gola. Por mungesat e shumta na vendosin në vështirësi për të qenë në ekuilibër gjatë gjithë kohës në repartin mbrojtës dhe fazën mbrojtëse. Shkurtaj është lojtar shumë i mirë, cilësor për skuadrën e Laçit. Por ka luajtur 90 minuta në ndeshjen në Berat dhe duke pasur edhe Guindon në ekip, janë dy lojtarë që luan njëri apo tjetri, vendosin në vështirësi mbrojtjen kundërshtare. Ishte më shumë zgjedhje taktike në aspektin fizik të Shkurtajt sesa pjesa tjetër”, u shpreh ndër të tjera, trajneri Gentjan Mezani.