Në kuadër të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”, grupi ndërinstitucional i punës zhvilloi mbledhjen e radhës në Bashkinë e Elbasanit, një nga katër qytetet mikpritëse të këtij aktiviteti madhor.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e FSHF-së parashtruan problematikat që kërkojnë zgjidhje në stadiumin “Elbasan Arena”, të evidentuara më parë nga vizita inspektuese e delegacionit të UEFA-s. Diskutimet u përqendruan te zgjidhjet konkrete për përgatitjen e stadiumit sipas standardeve ndërkombëtare.
Pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe planifikimi për brandimin e qytetit dhe krijimin e një fan zone, me qëllim krijimin e një atmosfere festive për qytetarët dhe tifozët që do të marrin pjesë në event.
Pas përfundimit të mbledhjes, grupi ndërinstitucional vizitoi nga afër ambientet e “Elbasan Arena”, ku u njohën me problematikat konkrete që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Nga ana e saj, Bashkia e Elbasanit mori angazhimin për të realizuar brandimin e qytetit dhe për të garantuar përgatitjen e plotë të stadiumit për Euro U-17 “Shqipëri 2025”.
Në ditët në vijim, grupi i punës do të zhvillojë një takim të ngjashëm në një tjetër qytet mikpritës të Kampionatit Europian.