Thursday, September 19, 2024

Personazh-Zyhdi Bakalli, ish futbollisti, trajneri, mësuesi, që kontribuoi aq shumë për sportin shkodran

Lexo

Shkodra, ky qytet me aq shumë traditë në fushën e sportit, e sidomos atij të futbollit, ka nxjerrë emra të shquar që i kanë shërbyer komunitetit duke dhënë më të mirën e tyre për breza të ndryshëm të sportit shkodran.

Njëri prej tyre është padyshim edhe Zyhdi Bakalli, personazhi i njohur i viteve 50-të si futbollist i Vllaznisë dhe i ekipit kombëtar  dhe që në vazhdim vijoi me po aq sukses edhe në detyrën e trajnerit të futbollit moshave, ndërkohë që një pjesë më vete ishte ishte edhe puna shembullore që ai bënte si mësues i edukimit fizik.

Sot, në përvjetorin e 93-të të lindjes së Zyhdi Bakallit, Veriu Sport risjellë në vemendje të opinionit sportiv këtë figurë të mirënjohur të sportit shkodran, i cili me karrierën e tij të pasur sportive la gjurmë të pashlyeshme tek brezat e ndryshëm që shoqëruan jetën e tij sportive deri sa u nda nga jeta 12 vite më parë, në gusht të vitit 2010.

Fillimet…

Zyhdi Bakalli, pjesë e një familje të vjetër dhe me tradita të hershme  shkodrane, banonte pranë shtëpisë së “Sulço Begut”, aty ku ishte edhe një emër tjetër i njohur i futbollit shkodran, Esat Bushati. Ndaj, edhe dashuria dhe pasioni për futbollin e lidh shumë shpejt me këtë sport. Një nxitje më shumë që ai të bëhej pjesë e futbollit ishin edhe dy vëllezërit Cungu, edhe ato pjesë e rrugicës së vjetër shkodrane ku jetonte. Në një farë mënyre, ato u bënë edhe udhërrëfyesit që Zyhdia të lidhet nga afër me këtë sport. Kështu, bashkangjitur edhe me shokët e fëmijërisë, Ali Kullolli, Lutfi Haliti, Shuajp Puka, Vehbi Ademi, Avni Mula, Isa buletini, etj, që të gjithë këto emra që u bënë të njohur në fushën e sportit, Zyhdia spikat shumë shpejt për talentin e tij të padiskutueshëm.

 

Titullar në Vllazninë e viteve 50-të

Pasi luan me shumë sukses në ekipet e moshave, falë punës këmbëngulëse në proçesin stërvitor, por edhe talentit që zotëronte, emri i Zyhdi Bakallit afirmohet shumë shpejt duke u bërë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë ku luan me shumë sukses për tre sezone, 1950-51, 1951-52, 1952-53. Nën drejtimin e trajnerëve Muc Koxhja dhe Rifat Rusi, Zyhdi Bakalli luan në formacionin e Vllaznisë përkrah kolegëve të tij shkodranë, Beqir Cungu, Ali Kullolli, Qamil Medja, Ali Tepelia, Alush Bakalli, Hysen Hoxha, Musa Alushi, Halit Hoxha, Buto Smaja, Prek Gjeloshi, Lutfi Laçja, Kol Gjoni, Fejzi Rrjolli, Simon Jubani, Daut Shkreli, Sheuki Boshnjaku, etj. Janë vite këto që Zyhdi Bakalli tërheq vemendjen e stafit të kombëtares së Shqipërisë, ku trajneri Loro Boriçi e grumbullon në radhët e përfaqësueses “B” të vitit 1952.

Zyhdi Bakalli, mësues i edukimit fizik

Në vijim, pas shkëputjes nga futbolli i luajtur Zyhdi Bakalli vazhdon studimet në shkollën sportive të Tiranës ku spikat si një student shembullor në përvetësimin e dijeve që do t’i shërbenin më pas si trajner dhe mësues i edukimit fizik.

Me përkushtimin e tij shembullor, ai shërben si mësues i edukimit fizik në shkolla të ndryshme, që nga Dukagjini, për të vijuar në Gur të Zi, Juban dhe Berdicë, ku krahas të tjerave mbahet mend për ngritjen dhe ndërtimet e terreneve sportive, por edhe duke futur dashurinë për sportin dhe kryesisht për futbollin në ato zona.

Një histori më vete është shkolla sportive e futbollit “Xheladin Fishta”, ku faktet tregojnë se Zyhdi Bakalli së bashku me kolegun e tij Tonin Kraja, kanë qenë të parët që kanë kontribuar në hapjen dhe përgatitjen e futbollistëve të vegjël në këtë shkollë. Dhe, po me të njëjtin passion vazhdon edhe në shkollën sportive “7 Nëntori” së bashku me kolegun e tij, Renato Radoja me shumë emër në sportin e basketbollit, me të cilin më pas vijojnë të kontribuojnë së bashku edhe në shkollën “Salo Hahili” deri sa dalin në pension.

Bakalli trajner

Detyra e trajnerit të futbollit e bën edhe shumë më të njohur dhe të dashur për komunitetin, dhe sidomos për brezin e fëmijëve të vegjël 10-12 vjeçarë që dijet e para të futbollit arrijnë t’i marrin nga Zyhdi Bakalli.

Dhe, këtu bëhet fjalë për emra të tillë me peshën në futbollin shqiptar, brezin e artë, Ramazan Rragami, Medin Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja. Me emrin e Zyhdi Bakallit lidhen edhe figura të tjera të njohura të futbollit shkodran, Ismet Hoxha, Selami Dani, Ahmet Meta, pak më vonë edhe Astrit Hafizi, Ferit Rragami, Lutfi Basha, Seit Çanga, Fatmir Axhani, e shumë e shumë të tjerë, ku të gjithë kanë një emërues të përbashkët: Hapat e parë të sportit të futbollit i kanë marrë nga professor Bakalli!

Me Zyhdi Bakallin trajner, ato kanë kujtime të paharruara në sa e sa ndeshje të futbollit të moshave, dhe sidomos në Spartakiadat Kombëtare të pionierëve që tradicionalisht organizoheshin në qytetin e Durrësit.

Astrit Hafizi kujton…

Astrit Hafizi, ish futbollist i talentuar i Vllaznisë, i kombëtares së Shqipërisë, por edhe trajner i kombëtares, fillimet e karrieres së tij si futbollist ia dedikon pikërisht trajnerit të tij të parë, Zyhdi Bakalli.

“Hapat e parë me sportin e futbollit i kam hedhur me trajnerin Zyhdi Bakalli. Kanë qënë vitet 1964-65. Nuk isha më shumë sesa 12-13 vjeç kur me mësues Zyhdinë sterviteshim tek fusha e futbollit pranë ish policisë së vjetër. Mbaj mend fort mirë se si duke dalluar të dhënat e mija të përshtatshme për sportin e futbollit, trajneri im Zyhdi Bakalli ndalej veçmas me mua duke më orientuar kryesisht në drejtim të veprimeve teknike dhe taktike. Ishte i veçantë në stilin e tij të të shprehurit, na bënte për vete me atë qetësinë e komunikimit duke këmbëngulur që individët që ai përzgjidhte si të talentuar në këtë fushë, punonte fort me to duke furnizuar ekipet zinxhir të moshave më të rritura. Ishte një tip seleksionieri model dhe shumë professional ndër në të veçantit e qytetit, që me nuhatjen e tij pikaste elementët që kishin të dhëna për futbollin, dhe me to punonte me përkushtim derisa ia arrinte qëllimit që sportisti t’ia përvetësonte udhëzimet tij”, shprehet ndër të tjera, Astrit Hafizi, një emër shumë i kompletuar i futbollit shqiptar që falenderimet dhe mirënjohjet janë të pakursyera për ish mësuesin dhe trajnerin e tij të moshës së vogël, Zyhdi Bakalli.

Kujtimet dhe mirënjohjet e Berhanit, djalit të Zyhdisë

Nga tre fëmijët e familjes Bakalli, dy vajza dhe një djalë, vetëm Berhani kërkoi t’i ngjante në fushën e sportit. Duke qënë nxënës i shkollës sportive “Xheladin Fishta”, të atin, e kishte edhe trajner edhe mësues kujdestar. Me dëshirën për të ecur në gjurmët e tij, përgatitet maksimalisht për normat fizike dhe teknike për konkursin kualifikues të pranimit në shkollën sportive të kryeqytetit. Parametrat fizike dhe teknikë janë OK dhe Berhani është gati realizimit të ëndërrës së tij, por arratisja e dajës së tij, Qemal Tafilica, edhe ky emër shumë i njohur i sportit shkodran aso kohe, bën që sistemi i atyre viteve të mos e lejojnë të vazhdojë studimet kualifikuese të sportit në Tiranë.

Megjithatë, Berhani dhe e gjithë familja Bakalli, janë krenarë me emrin e mirë dhe shembullor që i ka lënë babai i tyre. Ndërkohë, që dëshiron të falenderojë të gjithë ato që kanë bashkëpunuar me të gjatë të gjithë jetes sportive dhe më tej.

Në shenjë respekti dhe konsiderate, Berhani, djali i Zyhdisë Bakallit, kërkon të ndalet tek një emër i njohur, ai i Bahri Axhemit, ish drejtues i sportit të Shkodrës të atyre viteve në Shkodër, i cili përkundër disa strukturave të Komitetit të Partisë, që e patën larguar baben e tij nga shkolla sportive “Xheladin Fishta” duke e transferuar në periferi të qytetit, bazuar në vlerësimet dhe aftësitë dhe figurën e nderuar të babait të tij, nuk vonon dhe e rikthen atë në pozicionin e vlerësuar të mësuesit të edukimit fizik duke e vendosur në shkollën “Salo Halili”, aty ku dha më të mirën e tij deri sa doli në pension.

Një kujtim tjetër interesant që Berhani sjellë në vemendje ka të bëjë edhe me një ish drejtues të asaj kohe. Bëhet fjalë për Nasir Kotrrin, shef kuadri në Rrobaqepsi, që më vonë edhe ai u bë pjesë e sportit si drejtues i stadiumit “Loro Boriçi”.  “Ishte viti 1697 kur në Tiranë do të luhej ndeshja e madhe mes kombëtares së Shqipërisë dhe Gjermanisë. Në shenjë vlerësimi ndaj figurës si ish futbollist dhe trajner, Federata Shqiptare e Futbollit kishte rezervuar një biletë speciale për Zyhdi Bakallin në mënyrë që ai të ishte prezent në tribunën e stadiumit “Qemal Stafa”. Rastësisht, një ditë para ndeshjes, Zyhdia takohet me Nasir Kottrin, i cili dëshironte shumë ta ndiqte live këtë ndeshje në stadium. Zyhdia ia plotëson dëshirën, dhe në shenjë respekti për nderen që po i bënte, të nesërmen e ndeshjes Kotrri, e angazhon bashkshorten e Zyhdisë si punonjëse në ndërmarrjen që ai drejtonte, duke zgjidhur një problem jo të vogël për nevojat familjare”, kujton i biri i Zyhdisë, Berhan Bakalli.

Kujtimet e veteranëve të futbollit për Zyhdi Bakallin

Për të plotësuar edhe më mirë figurën sportive shumë planëshe të Zyhdi Bakallit, Veriu Sport kontaktoi me disa prej veteranëve të mirënjohur të futbollit shkodran. Selami Dani, Paulin Ndoja, Ismet Hoxha, Ahmet Meta, flasin me shumë respekt dhe konsideratë për ish profesorin e tyre, prej të cilit morën dijet e para në fushën e futbollit, por që më pas, me arsimimin e tyre duke u bërë edhe kolegë në fushën arsimit si mësues të edukimit fizik.

Duke folur në mikrofonin e Veriu Sport, në videot e mëposhtme që do të ndiqni, ato sjellin kujtimet e tyre të sinqerta për njeriun që ia kushtoi jetën e tij sportit shkodran, për Zyhdi Bakallin, i cili për to dhe shumë breza të tjerë sportistësh ka qënë frymëzuesi, mësuesi, trajneri, kolegu model, prindi dhe qytetari shembullor i qytetit të Shkodrës që ai i përkiste.

(Video-Flasin veteranët e futbollit: Selami Dani, Paulin Ndoja, Ismet Hoxha, Ahmet Meta)

Gaspër MARKU,  shkurt 2022

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img