Ndeshja nisi me një moment vërtet të veçantë. Ngjarja e rëndë ku një sherr mes adoleshentësh ka përfunduar me vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, ka tronditur të gjithë opinionin publik në Shqipëri.
Në nder të tij, në ndeshjen Shqipëri-Ukrainë u mbajt 1 minutë heshtje. Një tragjedi e rëndë, si një përkujtim për djaloshin e ndarë në mënyrë të parakohshme nga jeta, por si një kambanë alarmi që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Moment shumë drithërues kur të gjithë tifozët në korr po bërtisnin emrin e djaloshit të ndjerë. Jo vetëm kjo, pasi “Panorama Sport” ju sjell të gjitha momentet e veçanta të takimit.
* Rreth 15 minuta përpara se të fillonte takimi, drejt stadiumit shihet ish-kapiteni i Kombëtares Igli Tare që i drejtohet shkallëve. * Të pranishëm në stadium ishin plot 20 mijë e 547 tifozë të pranishëm, përfshi këtu edhe 500 tifozë ukrainas.
* Ndryshe nga ndeshja me Çekinë, ku himni i vërshëllye, me Ukrainën nuk ndodhi diçka e tillë. Megjithatë, kur tifozët kuqezi filluan koret e tyre, dy oficerë të UEFA-s u afruan pranë tyre duke mbajtur shënime.
Kristi SEJATLLARI