I çliruar nga kjo fitore në sekondat e fundit, Elvis Plori, trajner i Vllaznisë, nuk e fsheh entuziazmin për suksesin e arritur. Në “Gol pas Goli”, Plori u shpreh:
“Goli në minutat e fundit më kënaq më tepër, kur mendon se mund të na ikte ndeshja. Shija e Europës është aty, goli i vonë na kthen pas në kohë, në vitin e kaluar. Ka ardhur në momentin e duhur. Rezultatet mua më kanë ardhur në momentin e duhur. Kam qenë i përgojuar që nuk po fitoja, jam shumë i gëzuar. E parandjeva golin dhe në momentin kur e thirra, bisedova me ndihmësit e mi, ata po linin hapësira në krahun e majtë. Në momentin kur mori topin, e parandjeva që do të shënonte.”
Aktivizimi i Latifit të dëmtuar: “Kam diskutuar gjithë kohën me kolegët e mi. Latifi nuk ka qenë në gjendje, ishte i dëmtuar. Kur u barazua, tha se do të bëj një sforcim. Arsyeja pse e lashë në sulm ishte shmangia e kontakteve, sepse kishte një hematomë. Doja ta shfrytëzoja.”
Golat e munguar: “Para portës nuk jemi aq shumë cinikë, krijojmë dhe nuk shënojmë. Kemi mangësi me marrëdhënien me golin. Jemi në një ituatë delikatë dhe duhet të shënojmë. Kur kemi barazuar kemi pasur mundësi për të fituar kemi humbur raste dhe kemi barazuar. Sot entuziazmi që ishte në stadium, orari, na japin seriozitet më të madh. Motivimi i lojtarëve ka ardhur edhe nga këta faktorë.”
Mehdi Çoba, vetëm një ndeshje titullar: “Çobën e kam aktivizuar thuajse në të gjitha takimet. Duhet të shënosh që të jesh në qendër të vëmendjes. Sapo ka rinovuar, them se është gati, por konkurrenca është e fortë. Shpresojmë shumë tek ai dhe e them se do të jetë lojtar ku Vllaznia do të bazohet shumë.”
Llogaritë e ndeshjeve të mbetura: “Llogaria e parë ishte të fitonim sot. Tani qe jemi në vendin e tretë, duke menduar se Tirana e ka realizuar objektivin bazë dhe nuk e ka dëshirën dhe entuziazmin për t’i motivuar lojtarët. Por nuk duhet të mendojmë se gjithçka ka mbaruar, janë edhe nëntë pikë në lojë, skuadrat janë të ngjeshura.”