Pas pak Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë ndaj Çekisë në stadiumin e Sparta Pragës, skuadra ku luan edhe mesfushori shqiptar Qazim Laçi. Në një intervistë ekskluzive për TV Klan, ai tregon emocionet që do të luajë si kundërshtar në “Epet Arena”, çfarë mendon për kundërshtarin dhe mbi të gjitha rëndësinë e kësaj ndeshje.
Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares: Për mua është pak e veçantë sepse ka shumë lojtarë që unë kam luajtur. Ky stadiumi i Sparta Pragës ku jam aktualisht është një gjë e mirë sepse do të ketë tifozë edhe të Spartës së Pragës, por do të ketë edhe shumë tifozë shqiptarë që do të na mbështesin.
E në fakt emocionet e Laçit janë shtuar me mbërritjen këtu në Pragë me Kombëtaren Shqiptare, janë shtuar sepse ka njerëz që e kanë marrë në telefon, ka njerëz që i kanë çuar mesazhe. Në intervistë ekskluzive për Televizionin Klan ai pranon diçka të tillë.
Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares: Sidomos kur jam me ekipin e Kombëtares kanë vazhduar me disa mesazhe personale, dhe disa njerëz jashtë nga futbolli e kanë pritur shumë mirë.
Në sytë e mijëra tifozëve Çekia do të përpiqet të fitojë ndeshjen, shqiptarët thonë që Çekia është një skuadër e fortë, por ku qëndron vërtet forca e kësaj skuadre.
Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares: Çekia nuk ka shumë ndryshime nga hera e fundit. Është një ekip shumë i fortë fizikisht, na i kanë treguar dhe ndeshjet që kemi bërë më përpara. Nuk besoj se do të ndryshojnë shumë stilin.
Ka shumë rëndësi taktika, rëndësia e futbollistëve apo përgatitja psikologjike?
Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares: Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne të marrë një fitore tjetër. Duhet të jemi psikologjikisht shumë të fortë sepse besoj se edhe kundërshtari do të jetë më i përgatitur nga herët e fundit. Besoj se do të jenë pak më të motivuar.
Tv Klan