Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka folur për mediat në prag të transfertës kundër Elbasanit, që do të luhet nesër në orën 18:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH.
Në 3 ndeshjet e fundit keni arritur 1 fitore dhe 2 barazime, çfarë prisni më tepër nga skuadra?
E kam deklaruar edhe më përpara që prisja fitore në të 3 ndeshjet të jemi realist. Sidomos në 2 ndeshjet e fundit që kemi luajtur në shtëpi si ndaj Vorës dhe Vllaznisë kemi qenë dominues në çdo lloj aspekti. Po të shikojmë statistikat, goditjet e portës, shtyllat, rastet e humbura, posedimin e topit. Ndonjëherë fati nuk është me më të mirin por gjithmonë për fitore presim.
Keni ndonjë peng nga këto 3 ndeshje?
Peng për këto ndeshje kam vetëm rastet e humbura sidomos ndeshjen me Vllazninë. Djemtë kanë dhënë maksimumin. Unë dhe stafi e kishim analizuar vërtet shumë mirë ekipin e Vllaznisë në detaje. Stafi ka bërë një punë të mrekullueshme. Në fushë kishim shumë raste që duhet ti shënonim. Ky është pengu i vetëm që kisha , sepse me 1 fitore do të ishim jashtëzakonisht shumë afër “Final Four”.
Sa jeni munduar ti korrigjoni gabimet?
Ndeshjet e kësaj jave janë shumë afër me njëra-tjetrën të themi të drejtën, nuk është se kemi punuar jashtëzakonisht shumë pasi kemi patur në dispozicion pak ditë. Jemi munduar që ti japim pak më shumë qetësi djemve. Rastet janë aty për tu krijuar, golat do vijnë nuk është një problem shumë i madh sepse golat kanë ardhur në javët e fundit nuk është se nuk kemi shënuar fare. Mos harrojmë që kemi shënuar 5 gola në 3 ndeshjet e fundit nuk është se jemi keq.
3 pikët ndaj Elbasanit mund të quhen surprizë?
Jo nuk mund ta quajmë surprizë sepse Partizani hyn për 3 pikë. E kam thënë që në fillim Partizani hyn për 3 pikë dhe sigurisht objektivi është “Final Four” nuk kemi pse të fshihemi për objektivat që ka ekipi.
Dëmtimet?
Nga lojtarët e dëmtuar fatkeqësisht ende nuk është rekuperuar asnjë. Rikthehen lojtarët që kanë qenë të pezulluar me kartonë Atanaskoski dhe Diego, ndërsa nga lojtarët e dëmtuar nuk është asnjë i gatshëm.
Elbasani kryesues?
Sigurisht e meriton. Është një ekip që nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë nga viti i kaluar, është i njëjti grup i njëjti staf teknik thjesht nga viti i kaluar kanë bërë rregullime në pikat që ata e shikonin që duhet ti bënin dhe janë me meritë aty ku janë.



