Vllaznia po përgatitet për ndeshjen kundër Partizanit, duel do të luhet ditën e premte në orën 19:00, në stadiumin “Arena e Demave” dhe do të mbyllë vitin 2024 për kuqeblutë. Mungesat në seancën stërvitore kanë qenë të shumta te skuadra e Brdariç. Në një situatë kur dëmtimet janë të shumta, një tjetër problem duket se i shtohet kuqebluve dhe ai është Kristi Qarri. Portieri u dëmtua në fund në ndeshjen kundër Laçit dhe pavarësisht se nuk u zëvendësua, lëndimi i tij mësohet të jetë serioz. Gardiani i kuqebluve duket se do të jetë mungesa e radhës për shkodranët.
Gjendja fizike e 24- vjeçarit duket më e rënduar edhe se ajo e Spahijas dhe Deliut. Të dy futbollistë që gjithashtu u dëmtuan kundër Laçit dhe do të mungojnë kundër Partizanit. Në duelin ndaj të kuqve, portën e kuqebluve pritet ta mbrojë Aron Jukaj, i cili debutoi në sezonin 2022-2023 me shkodranët duke zhvilluar 2 ndeshje në kampionat. Gjithashtu, emra si Gurishta, Gruda dhe Matuti dihet prej disa javësh që e kanë mbyllur vitin 2024.
Dyshja e mbrojtësve Juriç-Stojanoviç nuk pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj “demave” në javën e 19-të të Superiores. Po ashtu, as Qato dhe Jago nuk japin optimizëm për një rikthim të shpejtë, me dyshen që pritet të kthehet në stërvitje në fillimin e vitit 2025. Shkodranët vijnë në transfertën kundër Partizanit në emergjencë të plotë me plot 10 mungesa, çka përbën një precedent më vete.
Mbetet të shihet sesi trajneri Brdariç do ta menaxhojë situatën, që duket mjaft e vështirë. Mbështetja te të rinjtë e akademisë mbetet opsioni i vetëm.
Endri ÇINARI