Tërheqje muskulare në kofshë, dëmtim më pak serioz se u mendua fillimisht dhe një tentativë për të qenë në fushë kundër Partizanit. Në Shkodër janë të gjithë në ankth nëse për ndeshjen delikate do të kenë në fushë ose jo kapitenin Bekim Balaj. Qendërsulmuesi u nis drejt Serbisë, për t’iu nënshtruar kurave në klinikën e specializuar të terapistes, Marjana Kvaçeviç, që është edhe personi i besuar tek i cili Balaj përplaset sa herë pëson shqetësime muskulare.
Ai ka kryer 4 seanca fizioterapie në Serbi dhe sot është kthyer në Shkodër për të qenë gati të provojë seancën e parë stërvitore, jo me ngarkesë të plotë. Gjërat duken mirë dhe kofsha për momentin nuk po e shqetëson 33 vjeçarin, gjendja e të cilit sidoqoftë do të monitorohet ditë pas ditë. Shpresat e Brdaric janë që ai të jetë në fushë që në ndeshjen me Partizanin, por nga ana tjetër tekniku gjerman nuk ka ndërmend të rrezikojë për një rikthim të problemit e që mund ti kushtojë kohë më të gjatë qendrimi në infermieri Balajt.
Te Vllaznia e kanë të qartë rëndësinë e kapitenit, jo vetëm për 5 golat e shënuar në kampionat, shënuesi më i mirë bashkë me Itodo Mandela, por edhe për atë që i jep skuadrës e që kundër Laçit kur ai mungoi u ndje në mënyrë evidente. Brdaric ndërkohë është pa alternativa për vijën e parë të sulmit, pasi edhe qendërsulmuesi tjetër, Matouti, është i dëmtuar dhe, me shumë mundësi, nuk do të jetë i gatshëm edhe kundër Partizanit.