Prag Vllaznia-Tirana, kapiteni kuqeblu Bekim Balaj ia ka marrë dorën bardhebluve. Gati për golin dhe fitoren e radhës të premten në “Loro Boriçi”

Vllaznia do të rikthehet të luajë ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2025 në shtëpinë e saj. Shkodranët do të presin Tiranën, ditën e premte në orën 17:00, me Klasiken që gjithmonë është e gatshme për të dhuruar emocione për tifozët. Përballë vijnë dy skuadra me humore të ndryshme. Me kuqeblutë në “luftë” për vendet e para dhe kryeqytetasit që si rrallë herë “vuajnë” në zonën e “ftohtë”. Te Vllaznia, gjithsesi duket se nuk e nënvlerësojnë aspak kundërshtarin e radhës. Duke i vlerësuar në maksimum bardheblutë edhe për vetë historinë dhe atë çfarë përfaqësojnë në futbollin tonë. Synimi i kuqebluve ngelet fitorja dhe nisja e vitit me 3 pikë përballë tifozërisë shkodrane.

E për këtë sytë shkojnë te Bekim Balaj. Sulmuesi kryesor i skuadrës mungon në takimin me golin në Superiore prej 7 ndeshjesh radhazi. Duke pasur kështu 630 minuta pa gjetur rrugën e rrjetës në elitën e futbollit tonë. Një statistikë që patjetër nuk i shkon edhe aq për “shtat” një sulmuesi kalibri siç është 33-vjeçari. Që duhet theksuar se pavarësisht mungesës së golit, kontributi i tij në skuadër mbetet i jashtëzakonshëm.

NDEZJA – Duket se ndeshjet ndaj Tiranës e “ndezin” ish-sulmuesin e kombëtares shqiptare. Kjo, pasi bardheblutë që prej rikthimit të tij në kampionatin shqiptar në janar e vitit 2023 janë shndërruar në “prenë” e preferuar të shtatlartit. Që nga ajo periudhë, Balaj ka zhvilluar 8 ndeshje si titullar kundër Tiranës, duke i shënuar 7 herë bardhebluve e duke u shndërruar kështu në një “makth” të rekordmenëve të futbollit tonë.

Madje, ish-sulmuesi, edhe i Tiranës, në të shkuarën i ka shënuar 4 herë bardhebluve në sezonin 2024-25. Kjo në barazimin 2-2 mes dy skuadrave në ndeshjen e fazës së parë dhe po ashtu një dopietë në fitoren 3-4 të Vllaznisë në fazën e dytë të kampionatit. Ku nga 8 golat që ka shënuar deri në këto momente në kampionat, 4 prej tyre shkodrani ia ka shënuar kryeqytetasve. Patjetër te Vllaznia fillimisht do të kërkojnë fitoren e më pas edhe zhbllokimin e sulmuesit dhe kapitenit të ekipit. Që nga statistikat duket se premton për gol në ndeshjet klasike kundër Tiranës.

Endri ÇINARI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu