Për trajnerin kuqeblu, Thomas Brdariç, përballja me Teutën që nis pasditën e sotme në orën 16:45, kundërshtari nuk duhet shikuar për pozicionin që ka aktualisht në tabelë, pasi, pamvarësisht oshilacioneve që ka kaluar këtë sezon futbollisti, sidomos edhe ndërrimin e trajnerëve, elementi që ka në dispozicion ka cilësitë e duhuara. “Është një mundësi e mirë që sot të vijojmë me fitoret, ashtu sikurse kemi bërë edhe në mesjavë në Kupën e Shqipërisë ndaj Flamurtarit. Duhet të shfrytëzojmë faktin që luajmë në shtëpi. Kemi përgatitur një plan të mirë për të luajtur me Teutën, që e njohim si kundërshtar dhe ia dimë pikat e forta dhe të dobëta. E rëndësishme të marrim maksimumin dhe t’i shkaktojmë humbjen atyre. Ne marrim seriozisht çdo kundërshtar pasi Superliga është një kampionat i vështirë. Besoj se jemi në gjendje të mirë dhe mund t’ia dalim ndaj Teutës, pavarësisht problemeve të saj. Tek durrsakët nuk është më Edi Martini, por tjetërkush. Është e rëndësishme që Teuta ka një trajner të ri, sepse ka një qasje të re. Sa i përket Martinit unë kam një marrëdhënie të mirë e besoj se shumë shpejt do të kthehet, sepse është trajner i mirë. I uroj shumë fat.”, thotë Brdariç.
Brdariç është i kënaqur në këtë pragndeshje, pasi e ka të gjithë grupin në dispozicion. “Ne nuk kemi vetëm 11 lojtarë. Kur mungojnë disa vjen mundësia për të tjerë. Është mundësia për ata që nuk kanë dhe duhet të tregojnë në stërvitje për minutat që duhet të marrin në lojë. Unë besoj se kemi një skuadër të kompletuar. Për ne nuk ka rëndësi se kush shënon. E rëndësishme është të marrim pikët maksimale dhe skuadra të jetë e balancuar. Ndoshta keni të drejtë për kritikën kur sulmuesit nuk shënojnë. Por uroj që të dalin tek goli, sepse do t’i japi besim atyre. Gjithsesi na duhen pikët”, u shpreh njëshi i pankinës kuqeblu, duke bërë të ditur se Vllaznia është në luftë në dy fronte, Kupën e Shqipërisë dhe kampionatin,dhe se i synon të dy trofetë, edhe pse në kampionat janë plot 13 pikë larg Tiranës kryesuese..