Një aktivitet i një rëndësie të veçantë për futbollin Europian është zhvilluar këtë fundjavë në Stamboll të Turqisë, aty ku janë mbledhur kokat më të rëndësishmë drejtuese të klubeve të kontinentit europian.
Për dy ditë me radhë është zhvilluar Asambleja e Përgjithshme e Klubeve Europiane (ECA), në të cilën ka qënë i ftuar edhe Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi.
Lajmin në fjalë e bën të ditur vetë presidenti kuqeblu, Alban Xhaferi, i cili ndër të tjera, shkruan: “Asambleja e Përgjithshme e Klubeve Europiane (ECA ) u mblodh në Stamboll. Klubi i futbollit Vllaznia është anëtare e associuar e kësaj organizate Europiane mjaft me vlerë të futbollit. Personalitete të rëndësishme morën pjesë për të shprehur angazhimin e tyre në drejtim të mbështetjes se futbollit Evropian ku përfitues sigurisht mbetet edhe Klubi Futbollit Vllaznia në arritjen e standarteve me të larta”.
Fotot e realizuara në këtë aktivitet, mes të cilave spikasin emra shumë të njohur të botës së futbollit, duke filluar nga homologu i tij Nasser Al-Khelaifi, financues i klubit të famshëm PSG, ish- portieri i famshëm i kombëtares së Gjermanisë dhe Bajernit, Oliver Kahn etj, flasin vetë për peshën dhe rëndësinë e këtij aktiviteti.
Në takimet dhe bisedat e ngrohta që presidenti Xhaferi ka pasur me pjesëtarët dhe drejtuesit e Asamblesë së Përgjithshme të Klubeve Europiane (ECA), ai ka patur mundësinë të pasqyrojë dhe evidentojë historinë e mirëfilltë që përcjellë Klubi i Futbollit Vllaznia, i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe me një jetëgjati mbi 100 vjeçare.
Ndërkohë, nga sa bëhet e ditur, klubi kuqeblu i Vllaznisë, i cili është anëtar i associuar i kësaj organizate Europiane me mjaft vlerë të futbollit, ka marrë vemendjen e duhur nga institucioni në fjalë, një përfaqësi e të cilit pritet të vizitojë shumë shpejt qytetin e Shkodrës, me synim mbështetjen e shumëanshme ndaj KF Vllaznia, në mënyrë që ai të bëhet pjesë e rëndësishme e klubeve europiane të futbollit.
Fotot e pjesëarrjes së Presidentit të KF Vllaznia në Asamblenë e Përgjithshme të Klubeve Europiane (ECA):