Pas një pushimi rreth dhjetë ditor, Superliga e futbollit shqiptar rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së tretë. Padyshim që ballafaqimi më interesant i kësaj jave është klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana. Një sfidë kjo, që nëse nuk do të kishte penalizimin e pjesëmarrjes së tifozëve për arsye të pandemisë, shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” do të kishin pasur një mbingarkesë si asnjëherë tjetër. E themi këtë, jo vetem nga rëndësia e ndeshjes si dhe peshën e historisë që këto dy klube mbajnë mbi supe, por edhe për atë që starti i sezonit për skuadrën kuqeblu është në mënyrën më të mirë të mundshme, me dy fitore në Kupë dhe po kaq të tilla edhe në Kampionat. Në pritje të kësaj sfide që luhet nesër(e shtunë) ora 16.45 minuta në stadiumin “Loro Boriçi”, skuadra kuqeblu ka në dispozicion edhe një seancë stervitore, e fundit për këtë pragndeshje, seancë kjo që sipas informacionit pranë klubit Vllaznia do të zhvillohet në Kompleksin Sportiv të Barbullushit, aty ku kampi kuqeblu është i grumbulluar prej tre ditësh në mjrdisin turistik Gardenland Resort.