Bardheblutë kanë lënë pas oshilacionet e ndeshjeve të fundit, përfshirë edhe humbjen në shtëpi me Vllazninë, dhe me fitoren e sotme realizuar në “Selman Stërmasi” ndaj Teutës së Durrësit duket se japin sinjalet e një rikthimi të bujshëm.
Këtë e tregoi, jo vetem me epërsinë e treguar në fushën e lojës, por edhe me katër golat e shënuar në portën e bregdetarëve, ku ndër to tre i përkasin Redon Xhixhës. Gola këto që i bëjnë atë për momentin golashënuesin më të mirë të Superiores me 5 gola. Por, në të njëjtën kohë, me tre gola brenda një ndeshje, Xhixha bën të vetin edhe tgopin e ndeshjes.
Megjithatë, referuar ecurisë së lojës, duhet thënë se ishin miqtë që do të rrezikonin të parët me disa ngacmime të vogla në portën e Bekajt, por rasti më flagrant do të ishte ai i minutës së 16-të, ku Hebaj me kokë mund të kishte shënuar, por gjen përgjigjen e Bekajt i cili eviton golin.
Tirana reagon shpejt dhe është Sherif Kallaku që merr çdo iniciativë, ashtu si ai i minutës së 20-të, me aksionin e nisur nga sulmuesi Patrick e përfunduar nga mesfushori, që në fund rezultoi të ishte pozicion jashtë loje, por edhe tetë minuta më vonë në një pozicion komod, tentativa e 24-vjeçarit ndalet nga portieri Qirko. Goli do të ishte çështje kohe për Tiranën, që pothaujse kontrolloi çdo cep të fushës dhe 2 minuta nga përfundimi i pjesës së parë, Xhixha do të shënonte pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një aksioni model të bardhebluve.
Tirana shkon në dhomat e zhveshjes me një moral më të lartë dhe fraksioni i dytë do të niste mbarë për kryeqytetasit. Kur po kronometrohej minuta e 49-të, Florent Hasani do të tregohej i saktë në konkluzionin e tij, pas një topi të dhënë nga Patrick. Goli i dytë me fanellën bardheblu për 25-vjeçarin nga Vushtria. Teuta nuk ka më dëshirë në lojë dhe Tirana shfrytëzon çdo mangësi të kundërshtarit. Problemet në mbrojtje dhe mesfushë te Teuta ishin evidente, aq sa për të thënë se Xhixha mundi të bënte çfarë të donte në minutën e 59-të ku shënoi golin e tretë.
Vuajtjet për Teutën nuk do të përfundonin, sepse kur takimi po mbyllej, Cyrbja shkakton ndërhryje të parregullt ndaj Bruno Lulajt dhe arbitri Klodjan Prenga pas rishikimit me VAR jep 11-metërsh dhe do të ishte sërish Xhixha që do të realizonte golin e tretë personal. Katër gola për tri pikë për Tiranën, që shkon në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Teuta thellon krizën, teksa ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në këtë edicion të ri futbollistik dhe me vetëm 3 pikë në pesë javë.