Tuesday, November 26, 2024

Rrogozhinasit nuk shkojnë më shumë se barazimi me korçarët në shtëpi. Egnatia-Skënderbeu 1 me 1

Lexo

Egnatia e Rrogozhinës-Skënderbeu ka qenë takimi tjetër i ditës së hënë, që ka ulur siparin e javës së 3-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Të dyja skuadrat erdhën në përballjen e luajtur në Stadiumin e Rrogozhinës pasi kishin pësuar një humbje dhe kishin marrë një barazim në dy javët e para të këtij sezoni. Dhe nisja e pjesës së parë ka qenë e vrullshme, me të dyja skuadrat që nuk vonojnë të ndërtojnë aksione sulmuese.

Rasti më i mirë do të vijë në minutën e 9-të, kur Demir Imeri provon nga distanca, por portieri i Skënderbeut, Rexhepi, tregohet mjaft i vëmendshëm duke grushtuar saktë. Janë minuta që në vazhdim flasin për Egnatian, e cila gjen edhe golin në të 16-tën, me anë të brazilianit Pedro Augusto Kabral, i cili realizon një gol mjaft të bukur duke lënë të palëvizur portierin Rexhepi dhe ka ndezur atmosferën në Stadiumin e Rrogozhinës.

Por festa e vendasve do të zgjasë fare pak, sepse brenda vetëm 104 sekondash lojë, Skënderbeu do të barazojë shifrat me anë të Elvi Berishës, që mposht mbrojtjen dhe portierin Puja, dhe finalizon bukur një aksion të  korçarëve. Barazia në shifra ka rikthyer edhe qetësinë në fushë për të dyja skuadrat, por edhe në lojë, pasi 20 minutat në vijim do të jenë të vakëta në përpjekje dhe raste për shënim. Vetëm në minutën e 39-të vjen një rast i volitshëm për Egnatian, teksa Kacbufi krijon iluzionin e golit, pas një goditje të bukur me kokë pas harkmit të Demir Imerit nga goditja e këndit.

Dridhet porta e korçarëve, por minutat e mbetura të pjesës së parë nuk sjellin ndryshim në shifra dhe gjithçka mbyllet në barazim 1-1. Pjesa e dytë nis me duele dhe përplasje në mesfushë, që kërkojnë edhe ndërhyrjen e stafe mjekësore, por vetëm pas një çerekore lojë, është Skënderbeu që jep shkëndija, por, përpjekja e shkuar dëm nga Bismarku, është sinjalizuar më parë për pozicion jashtëloje. Në minutën e 67-të, Mara shpërdoron një mundësi për Skënderbeun, duke goditur dobët brenda zonës.

16 minuta para fundit të kohës së rregullt, Egnatia pretendon për një 11-metërsh, pas rrëzimit brenda zone të Telushit, por, pas konsultimit në kufje me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), gjyqtari Beqiri nuk e shikon të arsyeshme të akordojë 11-metërsh në favor të vendave. Një tjetër pretendim për 11-metërsh, këtë radhë nga Skënderbeu, pas një ndërhyrjeje në dëm të Elvi Berishës, çon në momenti përplasjeje dhe tensioni në fushë, teksa Bruno Telushi ndëshkohet me karton të verdhë.

6 minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari kryesor do të shohin dy të sapofutur në lojë të bëhen protagonistë, pasi Pusi shënjestron, por jo saktësisht portën e Egnatias, ndërsa në krahun tjetër, Gadi ul keq një top, duke mos arritur të godasë i vetëm përballë portierit të korçarëve. Mbyllet kështu në barazim 1-1 kjo përballje e javës së 3-të midis Egnatias së Rrogozhinës dhe Skënderbeut dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, që mban përkatësisht në vendin e 9-të dhe të 8-të, me nga dy pikë, po aq sa ka edhe Partizani dhe Laçi.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img