Ish kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata, i cili fillimet e karrieres sportive i ka me Vllazninë, ku më herët pati rastin edhe ta drejtojë si trajner, ishte i ftuar në emisionin e fundit Studio Sport në RTSH Shkodra, ku ndër të tjera i bëri një analizë skuadrës kuqeblu.
Ndër të tjera, ajo që e shqetëson Rudi Vatën, ka të bëjë me kapitenin Bekim Balaj, ku sipas Vatës është padyshim lideri kryesor i Vllaznisë dhe një futbollist që duhet marrë shembull në të gjithë drejtimet, brenda dhe jashtë fushës së lojës, por që kolegët e formacionit nuk e ndjekin ritmin e tij në presionin ndaj skuadrës kundërshtare.
“Balajn e shikoj që ka nevojë edhe për një mbështetës të tij. Balaj, nuk mundet të jetë “non stop” për të mbajtur barrën kryesore, është e nevojshme me i dhanë hapësirë edhe dikujt tjetër që Balajn me e pasë të freskët, sepse është lideri kryesor i skuadrës. Dhe, në qoftëse pretendojmë që Balaj me i lujtë të gjitha ndeshjet nga 90-të minuta dhe me na çu tek goli, është diçka që nuk duhet me ndodh. Duhet medoemos me gjetë një futbollist që alternohet me të.
Po të shikosh Ballajn, ai është dominant në të gjitha drejtimet pavarësisht se ka një moshë relativisht të madhe është domimant ndaj kundërshtarit, gjë që e pashë edhe në ndeshjen me Dinamon. Balaj ishte aq i zoti sa dy qëndërmbrojtësit kundërshtarë nuk ishin në gjendje të fitojnë dyluftimet me të. Pra, Bala, pse është në këtë gjendje optimal? Sepse, ai pavarësisht moshës që ka është shembull në ekip për përkushtimin maksimal që ka ndaj proçesit stërvitor, ndërkohë që edhe në jetën private si një profeionist i vertetë din ta trajtojë trupin e tij përmes një regjimi sportiv model.”, shprehet Vata, ndërkohë që ndaj disa titullarëve ka rezervat e tij për oshilacionet e formës sportive që ato shfaqin në ndeshje të veçanta.
“Muratajn nuk e shikoj në parametrat e duhur. Kam pa Muratajn e para dy muajve, diçka ka ndodhur me gjendjen e tij fizike, nuk është ai Murataj i 4-5 javëve të mëparshme. Skuadra e ka të nevojshme energjinë dhe lëvizjet e tija kur dominon kundërshtarin që është shumë e rëndësishme.
Kastrati, është një lojtar që po rritet, por edhe ai ka nevojë të rritet në maksimum në parametrat fizik.
Në të njëjtën kohë, sigurisht edhe Qato është një lojtar i rëndësishëm, i cili i ka mungu skuadrës, edhe ai me gjendje fizike dhe probleme të ndryshme. Por, nëse arrin me rikuperu të gjithë lojtarët e rëndësishëm, skuadra me pasë edhe grupin e plotë, mendoj se atëherë, Vllaznia do të jetë edhe shumë më e fortë.
Kjo është çështje e menaxhimit, është periudhë dimri, sepse edhe në përballjen Vllaznia-Dinamo, të dyja skuadrat ishin të lodhura, në pjesën e dytë shumë gabime teknike të thjeshta nga të dyja skuadrat. Kjo vjen edhe me kohën edhe me terrenin e rënduar, por në të njëjtën kohë, futbollistët duhet me e ditë sesi me e menaxhu kohën e tyre, duhet me e ditë për me i ruajtëë energjitë e tyre, sepse duhet shumë energji, duhet shumë djersë për me dal kampion. Sepse në këtë mënyrë kanë për të ba të lumtur një qytet të tanë, por në të njëjtën kohë edhe për karrieren e tyre është shumë e rëndësishme.
Për të mbërritë në nivele të larta duhet patjetër të jesh mirë fizikisht për ta dominuar kundërshtarin. Edhe Vllaznia, nëse do të jetë mirë fizikisht ka për të qënë skuadër absolute, por e shikoj që në këtë element lojtarët kanë defiçite. Unë jetoj mes Shkodrës dhe Skocisë, kur kthehem pas një muaji, një lojtar që më ka impresionu, e gjej me probleme në përformancën e tij. Nuk mundesh me u ba sportist i niveleve të larta vetëm me stërvitjen që i bën Edi Martini futbollistëve të Vllaznisë. Ato duhet të bëjnë shumë më tepër në aspektin personal për formën e tyre sportive.”, shprehet Rudi Vata në analizën që ai i bën Vllaznisë.
Në viji, Rudi Vata, komenton edhe polemikat mes dy kampeve përkatëse në ndeshjen, Vllaznia-Dinamo, për të cilën tha:
“Futbolli është lojë provokimesh, do të ketë provokime fjalësh, kush e mban provokimin dhe kush nuk bjen viktimë e provokimit ka me vazhdu me ece përpara.
Sigurisht trajneri Daja doli jashtë vetvetes, Martini kishte të drejtë me u gëzu, kishte të drejtë me e shiju fitoren, askush nuk ka të drejtë për ta mohu me festu me mënyrën tënde. Janë momente emocionale, gjithkush mundet me ba diçka ekstra, por ky është futbolli. Këto gjëra ndodhin në tanë boten. Unë isha në stadium duke ndjekur ndeshjen dhe pashë sjelljen e futbollistëve dhe të stafit teknik të të dyja skuadrave. Mu duk si një lojë fjalësh, provokimesh, testimesh, thjesht në përgjithësi ishte një ndeshje që i kishte të tana brenda dhe kjo është pjesë e futbollit dhe asgja më tepër larg mbi limitet e futbollit.
Ndoshta dikush ka edhe pretendimet se në Shkodër janë duke luajtë pistë, por nuk është e vertete. Gjithmonë, ai që ankohet është më afër humbjes, sepse fitimtarët në përgjithësi nuk kanë pse me u anku.
Sigurisht, që as Dinamo dhe as Vllaznia, nuk janë skuadra dominante absolute të kampionatit shqiptar, janë skuadra që pak a shumë luftojnë dhe kanë të njëjtin ritëm, dhe në qoftëse pretendojnë të jenë fitimtarë të titullit kampion, duhet me dalë dominant, edhe në ato momente ku pretendon që mund të hajnë hakun, por që në Shqipëri këto gjana kanë ekzistu, sepse i tillë është kampionati shqiptar. Vllaznia, nëse nuk arrin që të bëhet dominante, do ta ketë shumë të vështirë, por është aty, dhe me mbylljen e vitit dhe energji të reja dhe me afrimin e ndonjë futbollisti, ka rastin të fuqizohet më shumë për të realizuar objektivin e fitiumit të titullit kampion.”
Gaspër MARKU



