Tirana do të luaj nesër sfidën e javës së 24-të të Superligës ndaj Partizanit. Derbi i kryeqytetit do të zhvillohet në “Air Albania” dhe do të nisë në orën 19:45. Bardheblutë po kalojnë një formë fantastike dhe kryesojnë kampionatin me 8 pikë më shumë se Laçi.
Trajneri i 25 herë kampionëve të Shqipërisë, Orges Shehi analizoi përballjen me “Demat” e Mehmetit në prononcimin për mediat, duke vënë theksin te vazhdimësia e lojës dhe rezultatet pozitive.
“Koha nuk është shumë e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen, por nisemi në kushte të barabarta si ne dhe kundërshtari. Do të fokusohemi më shumë tek aspekti teorik këto ditë.
Mendoj se pavarësisht se çfarë lojtarësh afron në merkato, cilësia e Partizanit nuk ndryshon. Derbi është derbi, renditja nuk ka rëndësi. Është një ndeshje që do të vendoset nga episodet. Si të tillë do e vlerësojmë.
Ne jemi të kënaqur me atë që kemi dhënë. Duhet të jemi ata që kemi qenë në këtë periudhë. Të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, objektivat janë të qarta”.
Ismajlgeci? Ai vazhdon fazën e riardhjes, pasi qëndroi jashtë për një periudhë. Ai është pjesë e skuadrës, forma e tij sa vjen dhe përmirësohet”.
3 fitore radhazi në derbi? “Këtë kampionat kemi bërë mirë dhe kemi fituar dy derbi. Kemi dhënë maksimumin dhe kemi marrë atë që kemi prodhuar, do t’ia lëmë fushës nesër. Rëndësi ka vazhdimësia, por statistikat janë për t’u thyer dhe të shikojmë nesër”.
Xhixha dhe Seferi? “Kemi skuadër të kompletuar dhe jemi të kënaqur me Xhixhën dhe Seferin që shënojnë, por edhe pjesa tjetër po funksionon shumë mirë. E kemi ndërtuar skuadrën nga e para dhe e kemi ndërtuar me shumë kujdes e për këtë jemi të kënaqur.
Rrezikshmëria në derbi është edhe kur kundërshtari vjen nga një rezultat jo i mirë e jo më kur fiton. Mendoj se rezultati i javës së kaluar për ne dhe kundërshtarin nuk vlen, por vlen vetëm performanca e nesërme”, u shpreh Shehi.