Monday, November 25, 2024

Shehi: “Kemi marrë lojtarë me mentalitetin e duhur dhe me moshë të re, gjithmonë duam titullin kampion”

Lexo

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi është prononcuar për “Sport News” në një intervistë me moderatoren Trevisa Tufa, duke zbuluar objektivat e bardhebluve, situatën në merkato, arsyet e rinovimi e shumë të tjera.

Shehi, vijon të bëjë akoma shumë zhurmë çështja titull. Tani që je më i qetë emocionalisht, a e fitoi titullin ekipi më i mirë?
Unë mendoj që kemi ardhur në këtë intervistë për të folur për sezonin e ri dhe jo të vjetrin. Sezoni i vjetër lë gjurmë, por nuk dua të flas për të. Sezoni i ri na gjen me disa problematika që duhen zgjidhur. Natyrisht që duhet të shikojmë përpara.

Në një intervistë me Fakajn pak ditë më parë, u shpreh që në Shqipëri nuk ka emocion, nuk ka garë, ju si mendoni?
Nuk di se çfarë ka deklaruar ai. Këtë sezon ka patur emocione, për shkak të rivalitetit të madh. Sigurisht që rivaliteti vjen ngaqë disa skuadra u dobësuan në janar. Po të shikosh skuadrat e para, vjen dolëm kampion me 73 pikë. Këtë vit dola i barabartë me 67 pikë. Pra ka shumë pak pikë diferencë.

Kishte një kontrast shumë të madh këtë post sezon, Partizani largon të gjithë stafin, ndërsa Tirana bëri gjithçka për t’iu mbajtur ju. Ka diçka që nuk shkon. Të duket e drejtë që një trajner kampion të largohet ndërsa një trajner që mbylli vitin pa trofe, klubi të insistojë kaq shumë për ta mbajtur?
Ato janë çështje që i takojnë Partizanit. Ne jemi ende të mërzitur pasi nuk morëm trofe. Gjithsesi, mos të harrojmë tranzicionin. Ne jemi disi të kënaqur. Në disa ndeshje mund të merrnim më shumë. Me gjithë këto vështirësi dhe lëvizje, ia dolëm të marrim 67 pikë. Këtë vit ishin gjërat ndryshe. Nuk bëmë kampionat të keq, pavarësisht se nuk fituam trofe.

A e ke riparë më rastin e Behiratçes? Çfarë mendoni tani, ishte penallti?
Është sezon i shkuar. Ka momente që çdo njeri kërkon t’i shikojë. Unë mendoj që ai episod nuk ka nevojë për koment. Unë i qëndroj atij mendimi që kam patur.

Kam përshtypjen që nëse do fitoje titullin do ishe larguar, çfarë të bindi të qëndroje?
Kam dy vjet e gjysmë këtu. Kemi patur një përformancë të mirë këtu, duke qëndruar gjithmonë të parët, edhe pse ka qenë një filozofi ndryshe. Kërkonim që të ishim edhe këtë vit me medaljen në qafë. Ne i dimë të mirat e të këqijat, njeri perfekt nuk ka.

Një vit më parë kishit vetëm një kusht, të ruhej grupi, diçka që nuk ndodhi. Çfarë të bën të mendosh ndryshe ketë sezon?
Nga qershori në janar u larguan 8 lojtarë. Në janar nuk u larguan aq lojtarë sa vjet. Sigurisht kur pjesa më e madhe është pjesë e grupit dhe ik ndonjë futbollist, duhet të bësh ndonjë lëvizje.

E nisët me dy blerje, Selmani dhe Kaina, rinovoi Hila. Çfarë plani ke Shehi, kush është projekti i Tiranës?
Në Shqipëri mungon projekti afatgjatë. Këtu ka projekt afatmesëm dhe afatshkurtër. Ne gjithmonë duam titullin kampion. Ne afruam një portier që ka qenë pjesë e kombëtares. Kaina ka perspektivë në sulm. Jemi munduar të ruajmë boshtin me Hilën dhe Aleksin. Kemi marrë lojtarë me mentalitetin e duhur dhe me moshë të re.

Çfarë do të bëhet me Hasanin, a është në shitje? Çfarë dëshironi ju personalisht për Hasanin dhe ku ka nevojë Tirana të përforcohet?
Repartet i kemi të plotësuar. Presim Nikqin dhe Patrik. Jemi vetëm me Përgjonin në krah të majtë. Repartet e tjera i kemi mirë. Ne na duhet pak konkurrencë brenda grupit. Ne duhet të kemi cilësi, për të premtuar më të mirën për të ardhmen.

Po ju Shehi, jeni në merkato? Mediat në Azerbajxhan shkruanin për një interesim nga kampionati vendas për ty. Ka ndonjë shans, për ndonjë “gol” në merkato?
Kjo ka qenë verë me pak kohë pushimi. Kjo periudhë duket e ngarkuar. Kam zgjedhur të jem pjesë e Tiranës, natyrisht mund të ketë ndonjë ngacmim ose indicie nga ndonjë klub, por është çështje e mbyllur dhe e vendosur që do të vazhdoj këtu.

Shehi, çfarë duhet të bëjë ndryshe Tirana këtë vit në Evropë? Çfarë i duhet Shehit, Tiranës që të mos zhgënjejë si një vit më parë?
Ne kemi nxjerrë një mësim që duhet të jemi të kompletuar kur të shkojmë në Europë. Lojtarët duhet të jenë të fokusuar. Kur arrin një eksperiencë, duhet të përmirësosh gjërat. Shpresojmë në një short të favorshëm. Gjithë ne vijmë nga një periudhë kur na ka mundur kundërshtari falë gabimeve tona.

Tifozët e Tiranës ju duan shumë, keni krijuar një lidhje shumë të fortë, keni një mesazh për ta?
Jam i kënaqur dhe i lumtur që kam këtë impakt te tifozët. Impakti i tyre te ne, dihet. Ato janë tifozë që janë mësuar gjithmonë me trofe. Tiranën e kanë si fe. Ne në finalen e Kupës morëm komplimente, edhe pse ishim me 10 veta. Ne duhet të japim shpirtin në fushë për të kënaqur këta tifozë.

Si është të sfidosh kampionët, sfidoni Partizanin këtë vit, janë ata kampionët në fuqi?
Lufta jonë sportive, pavarësisht gjithçkaje, do të vijojë. Janë dy klubet më të mëdha në Shqipëri. Partizani dhe Tirana janë epiqendra e futbollit shqiptar dhe kështu do të jetë. Nuk kemi asgjë vetëm me Partizanin, ne e kemi garën me të gjithë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img