Derbi mes Dinamos dhe Tiranës në Vlorë përfundoi barazim 0-0, në ndeshjen e vlefshme për Superioren. Bledi Shkëmbi i pyetur pas përfundimit pa gola të derbit kryeqytetas u shpreh mbi takimin:
“Patëm momente tona të mira, sidomos në pjesën e dytë. Pjesa e parë nuk është se na kënaqi shumë, e menduam ndryshe pjesën e parë, por disa lojtarë hynë me vonesë në lojë. Në pjesën e dytë reaguam, patëm momente të mira me traversat e momentin e golit, por në futboll duhet të shënosh dhe të mos thuash vetëm fati.
Ndryshuam në pjesën e dytë dhe u duk me futjen e Metës në mesfushë, duke hequr sulmuesin e dytë. Na dha efekt, nuk e nisëm kështu për arsye se Meta ka ardhur vonë nga Shpresat dhe kemi punuar me këtë sistem. Nuk eci aq mirë sa duhej dhe në pjesën e dytë ndryshuam. Por unë vazhdoj të them se nuk është vetëm ndryshimi taktik, në pjesën e parë patëm mosbesim që nuk më pëlqeu te disa lojtarë, disa ishin ndryshe. Disa kishin mosbesim me topin në këmbë, kishim mundësi qarkullimi si në pjesën e dytë. Kur e flak një pjesë loje, është e vështirë të thuash që kemi bërë mirë apo shumë mirë.
Nga kjo pjesë e mirë duhet të rinisemi, por të gjithë ne e dimë shumë mirë që me fjalë në futboll mund të thuash shumë gjëra. Por ndryshon ndeshja nga ndeshja e java. Shpresoj shumë që të ndodhë kështu.
Nuk jam i kënaqur me këtë që arritëm, e them me sinqeritet, jam i mërzitur. Por duhet të kapim anët e mira dhe mundësitë që kishim për të fituar ndeshjen.
Terreni? E prisja më keq nga sa e kisha parë nga televizori, por ishte terren i mirë. Dakord, jo si në Tiranë, Elbasan e Durrës, por ne na lejon të luajmë”, tha Shkëmbi për RTSH pas ndeshjes.