Teuta ka arritur të marrë një fitore 3-1 përballë Tiranës në javën e 8-të të “Abissnet Superiore”. Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, komentoi humbjen e parë të skuadrës së tij në këtë kampionat:
“Në fakt, kur humb nuk duhet të ketë justifikim, pavarësisht se unë personalisht deri diku jam i kënaqur me skuadrën deri te penalltia. Mendoj se në pjesën e dytë po bënim më mirë se në të parën sa i përket qarkullimit të topit. Por futbolli kështu është, e pëson në momentin që po luan mirë dhe ndryshon pastaj. U munduam të reagonim, por pashë shenja nervozizmi dhe nuk arritëm, bëmë reagim të dobët.
Nuk është se bëhem pishman për ndërrimet, se në çdo ndeshje që kemi ndërruar lojtarë, kanë dhënë më të mirën ose janë munduar. Jam dakord që pas penalltisë duhet të reagonim mirë, por është e vërtetë që çfarë u pa në fushë, ndeshja mbaroi për ne.
Ne manovrën nga poshtë ishim pothuajse me katër, por sa i përket fazës mbrojëtse, patjetër Mici ishe i treti. Por nuk na erdhi nga rreshtimi gabimet apo golat, sidomos penalltia pastaj e cila ishte diçka që unë duhet të porosit mbrojtësit që të mos luftoni fare brenda 16 metërshit se do jetë penallti. Se edhe këtë duhet ta themi, mund të them se luajtëm mirë.
Mendoj se nuk është penallti? Nuk mendoj, se jam i sigurt, se kemi edhe ne televizorë siç ka VAR-i. Është vendim i tyre, ata janë shefat për këtë punë. Nuk thashë gjë të keqe për VAR-in e arbitrin. Por siç dola unë jashtë, pashë në TV, pashë që lojtari mbrojtës që largon topin dhe e prek. Nuk është penallti në lojën e futbollit, pastaj në ndonjë lojë tjetër, baleti, mund të jetë”, tha Shkëmbi për RTSH pas ndeshjes.