Pas disa ndeshje kolauduese, duket se po vijnë rezultatet pozitive të teknikut Dritan Mehmeti në krye të Partizanit. Trajneri i ri, që në fakt më herët është rritur në shkollën dinamovite, sot korri një sukses të merituar duke sfiduar Kukësin e vendit të tretë teksa e mundi me rezultatin e thellë 5-0.
Fitore kjo që nxitë oreksin e të kuqve për t’u ngjitur më lart në tabelë, ndërkohë që nga ana tjetër fut në krizë kuksianët duke lëkundur dukshëm edhe pozitat e trajnerit italian Diego Longo.
Referuar kronikës së lojë, Partizani jep sinjalet e para në portën kuksiane me anë të Junior, që në minutën e 14-të të sfidës. Më pas, për kuksianët provon Gjelbrim Taipi në minutën e 21, duke detyruar Hoxhën të bënte ndërhyrjen e parë e të kopjuar nga Rrapaj, katër minuta më vonë, me silurën e tij që për fatin e Tafas nuk përfundoi në kuadrat.
Më pas do të vinte radha e Skukës, i cili fillimisht fitoi penalltinë duke i dhënë mundësinë Kallakut të shënojë golin e parë me fanellën e kuqe në minutën e 36-të, përpara se të merrte përsipër vetë gjithnjë në të 40-ën, duke shënuar golin e dytë me një të majtë që mposhti Tafas. Junior bëri tris 23 sekonda pas rifillimit, në një kombinim interesant me Skukën.
Kuksianët e Longos arrijnë të shënojnë, por VAR e anulon duke gjetur Lulajn në pozicion ajshtë loje. Partizani ishte dominues, frikshëm madje, ndaj një skuadre shumë vëzhguese për të parë aksionet e kundërshtarit. Por nëse Rrapaj në të 69′ e Mala në të 83’ nuk arritën të thyenin Tafas, i vetmi nga të tijtë që tentonte të rezistonte, Lika i ardhur nga pankina, bëri poker një minuta nga koha e rregullt, ndërsa në shtesë ishte Herald Markun, i cili me një goditje standarte mjeshtrore shënon një tjetër gol për skuadrën e tij duke vulosur fitoren e Partizanit me shifrat e thella 5-0.