Kombëtarja e futbollit për femra e drejtuar nga trajneri Armir Grima, vazhdon të jetë e grumbulluar në përgatitje për ndeshjet eleminatore të Botërorit 2023. Në kalendar janë dy ndeshje, e para ndaj Polonisë dhe e dyta në transfeërtë me Norvegjinë.
Sfida e parë ndaj kombëtars polake është programuar të luhet të mërkurën e ardhshme të 1 shtatorit në stadiumin “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 18:00, ndërkohë që pesë ditë më pas, më 6 shtator vajzat kuqezinj do të luajnë në Norvegji.
Sa i përket ndeshjes së mërkurë, trajneri Grima duket se ka gati gjithçka dhe se me formacionin që ka ideuar është optimist për të marrë rezultat pozitiv. Natyrisht, që ai vlerëson maksimalisht kundërshtarët si dy skuadrat më të forta të grupit, ai beson shumë se me futbollistet që ka në dispozicion do t’ia dalë.
“Grupi është thuajse i plotë, edhe pse kemi mungesa që ndikojnë pak, por si gjithmonë kemi mundësi për t’i zëvendësuar si duhet me vajzat e tjera. Në këtë fazë të vitit ajo që më shqetëson pak është gjendja fizike e vajzave, pasi vijmë nga një periudhë pushimesh. Normalisht vajzat që vijnë nga skuadra e Vllaznisë janë mirë në aspekte pasi i kanë nisur prej kohësh përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kampioneve të Europës, ndërkohë që fitorja ndaj kampiones së Sllovakisë dhe kualifikimi në turin e dytë, ia ka rritur shumë moralin e tyre.”, shprehet Grima.
Duke folur për objektivat, Grima thotë: “Në fakt përpara kemi dy ndeshjet më të vështira të grupit, por duke qenë se ne i kemi arritur tashmë objektivat që kishim në fillim të eliminatoreve, për pozicionin në renditje dhe pikët e grumbulluara, që janë një rekord për Kombëtaren e femrave, uroj që vajzat të mos jenë në trysninë e madhe të rezultatit dhe të luajnë pa frikë duke dhënë maksimumin e tyre. Nuk kemi pse të mos synojmë edhe rezultate pozitive, veçanërisht në ndeshjen me Poloninë mendoj se kemi më shumë shanse edhe për faktin se luajmë në shtëpi dhe do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve. Por edhe me Norvegjinë ne do të synojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”, shprehet ndër të tjera tekniku kuqezi, Armir Grima.