Shqipëri U17-Uells 0-0
Formacioni i Shqipërisë U-17: Amarildo Dervishi, Ernesto Bakiu, Adi Kurti, Alion Damini, Jordi Jaku, Glenis Belloj, Flavio Sulejmani, Ersi Bode, Ergi Bastari, Dean Vranici, Davide Avdullari. Trajner: Ervin Bulku
Shqipëria U-17 ka mbyllur sot me sfidën ndaj Uellsit U-17 ndeshjet e grupit 7 në eliminatoret e Europianit 2023, që u luajtën në Kroaci. Ndeshja përfundoi në barazim 0-0 me Kombëtaren shqiptare që renditet në vendin e tretë dhe ka ende shanse të kalojë në Elite Round si një nga vendet e treta më të mira të grupeve.
Shqipëria U-17 e nisi sfidën me këtë formacion: Amarildo Dervishi, Ernesto Bakiu, Adi Kurti, Alion Damini, Jordi Jaku, Glenis Belloj, Flavio Sulejmani, Ersi Bode, Ergi Bastari, Dean Vranici, Davide Avdullari
Sfida është e luftuar që në start me Shqipërinë që mbrohet mirë dhe përpiqet herë pas here të kapë në befasi Uellsin, që është edhe skuadra më e fortë e grupit. Rasti më i rëndësishëm i pjesës së parë është ai i Flavio Sulejmanit, i cili rrëzohet në zonë pas një ndërhyrjeje, por gjyqtari nuk akordon penallti. Kjo ka sjellë edhe protestat e sulmuesit shqiptar ndaj gjyqtarit, i cili e ndëshkon me karton të verdhë Sulejmanin. Pavarësisht përpjekjeve pjesa e parë mbyllet pa gola dhe rezultati nuk zhbllokohet.
Edhe në pjesën e dytë Kombëtarja U-17 vijon të kërkojë golin, pasi një fitore do ta çonte direkt përfaqësuesen kuqezi në Elite Round, ose më saktë në finalet e Europianit, që do të ishte një sukses historik për futbollin shqiptar.
Në minutën e 58-të tekniku Bulku bën tre zëvendësime, duke hedhur në fushën e lojës Devi Duron, Klaus Kasharin dhe Matteo Dashin në vend të Ersi Bodes, Dean Vranicit dhe Glenis Bellojt. Përfaqësuesja krijon disa raste me Sulemanin dhe Bastarin, por sërish pa gjetur rrugën e rrjetës. Në minutën e 67-të hyn në lojë edhe Ariel Krajka në vend të Alion Daminit, ndërkohë që loja vijon të jetë mjaft e balancuar. Në fund ka hapësirë edhe për Ergis Arifin, i cili zëvendëson Ergi Bastarin, ndërkohë që deri në vërshëllimën përfundimtare rezultati nuk ndryshon dhe ndeshja mbyllet në barazim 0-0.
Shqipëria U-17 e mbyll grupin në vendin e tretë me 4 pikë, po aq sa Kroacia e vendit të dytë, që ka avantazhin e fitores në ndeshjen direkte. Në krye të grupit renditet pikërisht Uellsi me 5 pikë, që kalon në fazën tjetër së bashku me Kroacinë. E fundit renditet Suedia me 2 pikë.
Rrugëtimi i Kombëtares U-17 në këtë edicion ka qenë pozitiv pasi arriti të merrte një fitore (3-1) në ndeshjen e parë më Suedinë dhe në ndeshjen e dytë ishte e pafat me atë humbje në sekondat e fundit (1-0) me Kroacinë. Gjithsesi, shanset për të kaluar në finalet e Europianit janë ende reale.