Zvicër U21-Shqipëri U21,1-2(Shënues: Surdez 16’/ Pajaziti 18’, 69’)
Formacioni i Shqipërisë: Klidman Lilo (GK), Ajdi Dajko (C), Feta Fetai, Tim Civeja, Arlind Rexhepi, Adrion Pajaziti, Stiven Shpendi, Paulo Buxhelaj, Elmando Gjini, Marcelino Preka, Usni Ismaili.Trajner: Alban Bushi
Kombëtarja shqiptare U-21 regjistroi një fitore fantastike në transfertë ndaj Zvicrës me rezultatin 2-1. Një ndeshje e luftuar deri në frymën e fundit nga kuqezinjtë që falë këtij triumfi rihapin garën për kualifikim në Europianin “Sllovaki 2025”.
Në Lozanë në stadiumin “Stade de la Tuilière”, lojtari që vulosi fitoren e madhe të Shqipërisë ishte Adrion Pajaziti, me dy supergolat e tij.
Trajneri Alban Bushi e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Zvicrës U-21: Klidman Lilo (GK), Ajdi Dajko (C), Feta Fetai, Tim Civeja, Arlind Rexhepi, Adrion Pajaziti, Stiven Shpendi, Paulo Buxhelaj, Elmando Gjini, Marcelino Preka dhe Usni Ismaili.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe ishte skuadra e Zvicrës që gjeti e para rrugën e rrjetës. Surdez zhbllokoi takimin në minutën e 16-të.
Shqipëria vendosi baraspeshën vetëm pas dy minutash falë një goli spektakolar nga Adrion Pajaziti. Një aksion model i ndërtuar nga Kombëtarja U-21, që u finalizua me gol nga mesfushori kuqezi.
Trajneri Bushi kreu zëvendësimin e parë në minutën e 20-të. Kapiteni Dajkoi doli nga fusha i dëmtuar dhe u aktivizua Elton Fikaj. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Fraksioni i dyti nisi me një tjetër ndryshim për Shqipërinë. Nga loja doli Usni Ismaili dhe u aktivizua Geralb Smajli.
Shqipëria mori avantazhin në minutën e 69-të me një tjetër gol spektakolar nga Adrion Pajaziti. Mesfushori kuqezi rikuperoi topin dhe me një goditje nga distanca shënoi golin e fitores dhe të dytin personal në këtë sfidë.
Zvicra U-21 fitoi një 11-metërsh në mimutën e 85-të por portieri Klidman Lilo ishte i pakalueshëm dhe ndali goditjen e sulmuesit Nikolas Muci. Në fund takimi u mbyll 2-1 për Shqipërinë.
Një fitore e madhe e kuqezinjve që shkojnë 13 pikë në Grupin E, po aq sa Finlanda dhe një pikë me pak se vendi i dytë që mbahet nga Zvicra.
Shqipëria U-21 do të luajë edhe takimin e fundit në këto kualifikuese më datë 15 tetor ndaj Armenisë. Kuqezinjtë do të tentojnë fitoren e radhës për të shpresuar deri në fund te kualifikimi në Europianin “EURO Sllovaki 2025”.