Friday, November 22, 2024

Shtator i ngarkuar i për ekipet kombëtare të futbollit, zyrtare dhe miqësore

Lexo

Shtatori është muaji i emocioneve të mëdha, pasi në fushë do të zbresin sërish kuqezinjtë. Ky muaj do të jetë tejet impenjativ për ekipet Kombëtare dhe FSHF-në, teksa në kalendar janë 9 ndeshje, disa zyrtare e të tjera miqësore.

Pas një sezoni të mbushur me emocione të mëdha që kulmoi me pjesëmarrjen e Shqipërisë në finalet e Europianit “Gjermani 2024”, Kombëtarja është gati për rrugëtimin e ri në UEFA Nations League. Skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinjo do të luajë ndeshjen e parë në grupin B1 më 7 shtator në transfertë ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena” në Çeki. Tre ditë më pas, më 10 shtator, kuqezinjtë do të presin Gjeorgjinë në folenë kuqezi, në stadiumin“Air Albania”, në orën 20:45. Dy ndeshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, që synon maksimumin në UEFA Nations League.

Më 6 shtator në fushë do të zbresë edhe Shqipëria U-21. Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, do të luajë në transfertë ndaj Zvicrës U-21, sfidë e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2025”. Ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Stade de la Tuiliere”, në orën 19:30.

Shqipëria U-19 ka në program dy ndeshje miqësore ndaj Turqisë U-19 në datat 6 dhe 8 shtator. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj do të masin forcat përballë bashkëmoshatarëve të përfaqësueses së Turqisë për të testuar dhe kolauduar skuadrën me fokus eliminatoret e muajit nëntor ku do të përballen me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut. Të dy takimet miqësore do të zhvillohet në Turqi. Ndeshja e parë e kuqezinjve është programuar të luhet më 6 shtator në orën 16:00, ndërsa takimi i dytë është planifikuar të luhet dy ditë më vonë, më 8 shtator po në orën 16:00.

Edhe Shqipëria U-17 ka në program dy ndeshje miqësore ndaj Luksemburgut në datat 4 dhe 6 shtator. Kjo do të jetë edhe prova e parë për trajnerin e ri të përfaqësueses U-17, Andrea Tedesco përpara kualifikueseve të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” që do të luhen në muajin tetor në vendin tonë, ku kuqezinjtë janë pozicionuar në grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe. Ndeshja e parë miqësore është programuar të luhet më 4 shtator në stadiumin e Vorës, në orën 16:30, ndërsa miqësorja e dytë Shqipëri – Luksemburg, do të luhet në “Shtëpinë e Futbollit” më 6 shtator në orën 10:00.

Dy ndeshje miqësore në program ka edhe Kombëtarja U-15, që në datat 24 dhe 26 shtator do të përballet me Malin e Zi. Ndeshja e parë do të luhet në Podgoricë, ndërsa takimi i dytë në Shkodër në stadiumin “Reshit Rusi”. Teste mjaft të vlefshme për skuadrën që drejtohet nga trajneri Armand Dama për të testuar e vëzhguar lojtarë të rinj.

Gjithashtu, në fundin e muajit shtator do të startojë turneu “UEFA Development” U-15 për vajza, që organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n. Në këtë turne veç ekipit tonë Kombëtar do të marrin pjesë edhe Kosova, Estonia dhe Maqedonia e Veriut. Të gjitha ndeshjet janë planifikuar të luhen në datat 30 shtator, 2 tetor dhe 5 tetor.

Edhe ekipet U-13, U-14 dhe U-16, do të zhvillojnë grumbullime ditore dhe stërvitje në “Shtëpinë e Futbollit”. Në fushë do të zbresin gjithashtu edhe ekipet U-15, U-17 dhe U-19 për vajza, që do të zhvillojnë seanca stërvitore ditore nën drejtimin e trajnereve kuqezi. Gjithçka bëhet për të vëzhguar nga afër formën e futbollisteve dhe për t’u përgatitur sa më mirë për kompeticionet europiane për këto grupmosha.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img