Simon e Sokol Uldedaj – Talenta që dojn besim, jo rastësi-Opinion nga Seno Fishta

Futbolli nuk asht veçse rezultat, asht vizion e investim për të ardhmen. Vllaznia i ka në gjirin e vet dy djem si Simon e Sokol Uldedaj – binjakë, punëtorë, t’urtë e t’talentum, që nuk meritojnë me u aktivizu rastësisht, por me u trajtu si pjesë e projektit të madh të klubit.

Shumë si Dodaj, Jukaj, Alivoda e Smajli e kanë fitu besimin me punë, por le t’jemi realist mundësia iu asht dhanë rastësisht. E kjo s’asht mënyra. Nuk ndërtohet e ardhmja mbi rastësi. Lojtari duhet me marrë besim e me u rrit hap mbas hapi.

Nji lojtar në moshën 21 vjeç s’mundet me u trajtu si “talent që po pret radhën” ai duhet me kenë boshti i ekipit. Por që me mbërrit aty, duhet me pas marrë minuta qysh në moshën 16-17 vjeç. S’e ban dëm ekipin nji i ri në fushë, përkundrazi të jep freski e energji. Titulli nuk asht i garantuem, edhe me lojtarë 30-vjeçarë. Po të ishte kshu, Vllaznia do ishte kampione çdo vit. E koha e ka tregu edhe do ta tregojë që ,në fund të karrierës, nuk ka shumë çka me prit prej nji lojtari.

Duhet bashkëpunim i fortë mes presidentit, trajnerit e drejtorit me pas nji vizion të përbashkët. Vendimet për me aktivizu djem të rinj duhet me ardhë prej mendjes, jo prej rastit. E un kam besim te trajneri Martini, që sidomos në ndeshjet e Kupave të Europës, ka me u dhanë pak minuta binjakëve Uldedaj, që me ra në sy edhe prej menaxherëve të jashtëm. Aty fillon rritja e vërtetë.

Unë besoj fort që Vllaznia ka potencial me shit çdo vit të paktën nji lojtar për 1 milion euro, tue mbajt 20% të kartonit të tij. Ky asht modeli ekonomik që i jep jetë klubit. Buxheti vjetor i Vllaznisë duhet me u ndërtu mbi akademinë e Vllazninë B. Aty asht e ardhmja.

Të rinjtë nuk ta prishin sezonin, të ndihmojnë me e ndërtu të ardhmen me zemër e me ngjyrat e Vllaznisë n’gjak.

Seno FISHTA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu