Partizani-Tirana 0-3 (Shënues: Falaye 19’, Patsatsia 32’(11-m), Tabekou 75’)
Partizani:Hoxha(Qirko 46),Atanaskoski,Janjeva,Ismaili,Human(Toma 76),Kote(Da Silva 63),Preka(Bytyçi 46),Bintsuka,Marku,Garsia,Qokthi(Skuka 41) Trajner:Mlladen Milinkoviç
Tirana:Tafas,Vera,Lleshi(Dembele 72),Soler,Fernandez(Abah 60),Patsatsia(Silva 67),Haxhiu,Valerjanos,Vogli,Falaje(Ismajli 72),Tabeku Trajner:Roberto Bordin
Gjyqtarë:Eldorjan Hamiti(Lezhë),Ilir Tartaraj(Fier),Ani Koçiaj(Tiranë),Dorjan Maletaj(Tropojë) Var:Kreshnik Barjamaj(Tiranë) Avar:Kreshnik Cjapi(Fier) Delegat:Eraldi Shera(Shijak) Vëzhgues:Albano Janku(Tiranë)
Derbi i shumëpritur i kryeqytetit u mbyll me fitoren 3-0 të Tiranës. Një sukses plotësisht i merituar i bardhebluve përballë Partizanit që nuk rrezikoi asnjëherë. Për skuadrën e Bordin është fitorja e parë, ndërsa të kuqtë pësojnë humbjen e katërt radhazi.
Përballja e sotme në “Air Albania” ishte shkëndija që rindezi Tiranën, e cila përpos fitores tre pikëshe rritë në mënyrë të ndjeshme moralin në radhët e bardhebluve për të dalë nga kriza që ishte përfshirënë javët e para të kampionatit.
Është fitorja e parë këtë sezon e bardhebluve, të cilët dhanë sinjale pozitive që në pjesën e dytë të ndeshjes së humbur me Dinamon. Partizani ndërkaq zhytet në krizë të thellë, me humbjen e katërt radhazi, ndërsa fitoren e vetme e ka arritur në javën e parë, kundër Vorës.
Reeferuar ecurisë së takimit, dy skuadrat e nisën me mjaft dëshirë, me Partizanin që e luajti më tepër fillimisht topin, por pa aksione të rrezikshme. Episodi i parë vjen në minutën e 19-të dhe është gol. Pas një krosimi nga e djathta në zonën e Partizanit, portieri Hoxha bën një dalje të nxituar dhe Falaje me kokë shënon në portën e boshatisur. Reagimi i të kuqve është i dobët, ndërsa Tirana e galvanizuar luan me shpejtësi në kërkim të golit të dytë.
Në minutën e 29-të, Fernandez hyn në zonë por aty humbet kontrollin e topit që shkon te Patsatsia, dhe Marku, në përpjekje për t’ia marrë, godet këmbën e gjeorgjianit dhe gjyqtari Hamiti akordon menjëherë penallti.
Pas dy minutash mes verifikimit e protestave, Patsatsia merr përsiër ekzekutimin dhe tund rrjetën e Hoxhës. Ky i fundit, bashkë me Preka, largohen të dëmtuar me fillimin e pjesës së dytë, duke u lënë vendin Qirkos e Bytyçit, në dy zëvendësime të detyruara për të kuqtë.
Tirana rrezikon menjëherë me Fernandez, por Qirko del shpejt dhe i bllokon gjuajtjen. Partizani nuk rrezikon asnjëherë, ndërsa në minutën e 59-të Tirana ka edhe një herë mundësinë për golin e tretë, por sërish Qirko i mbyll portën Voglit, që më pas e humbet topin.
Në të 69-tën, Da Silva rrotullohet dhe gjuan drejt portës bardheblu, por pret Tafas i vëmendshëm. Pesë minuta më pas, Tabekou hyn në zonë nga e majta dhe harkon me të djathtën drejt shtyllës së largët, duke mposhtur Qirkon. Aty loja merr fund, me fitore të merituar për Tiranën 0-3, ashtu siç është edhe humbja për Partizanin, totalisht i çorganizuar e pa ide.
Ndërsa për Tiranë është një feymëmarrje qetësie, për Partizanin kjo është humbja e katërt radhazi dhe që mund ti kushtoj stolin trajnerit Mlladen Milinkoviç.
Fatos LAMAJ



